E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Propozimet e Gjuhëve të Huaja, të vonuara

"Propozimet e fakultetit të Gjuhëve të Huaja për të ndryshuar skemën e pranimit të studentëve janë të vonuara sipas ligjit të Arsimit të Lartë. 

Në të sanksionohet se, shpallja e propozimeve duhet të bëhet një vit më parë, pasi maturantët duhet të informohen në kohë që të mund të përgatiten", këtë deklaratë bëri dje drejtoresha e Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë të MASH-it, znj. Elida Hoxha. Gjithçka pas publikimit të lajmit se në fakultetin e Gjuhëve të Huaja 90 % e nxënësve janë mbetës në më shumë se tre lëndë. "Disa prej propozimeve duhet të studiohen më mirë, pasi mund të sjellin probleme dhe jo zgjidhje", tha Hoxha. Sipas saj, MASH do të punojë me fakultetet që të zgjidhen shqetësimet e tyre, por maturantët duhet të jenë të përgatitur për skemën e pranimit në fakultetin e Gjuhëve të Huaja. "Kështu në kuadër të këtij informimi një maturant që do të studiojë për anglisht, të japë si lëndë me zgjedhje anglishten dhe kjo do të tregojë dhe nivelin e njohjes që ai ka për gjuhën", u shpreh drejtoresha e politikave të arsimit të lartë. Ajo nënvizoi se, MASH është në diskutim me fakultetet për këtë çështje. "Por kryesorja është që të ndërgjegjësojmë maturantët të zgjedhin atë degë ku ata kanë njohuri dhe duke futur në lëndët me zgjedhje gjuhët e huaja si kriter, mendojmë se do të mjaftojë", vijoi Elida Hoxha. Sa i përket formularit A2 këtë vit nuk do të ketë ndonjë ndryshim të formës së tij. Aty do të listohen të gjitha programet e studimit që ofrojnë universitetet publike; numri i zgjedhjes së maturantit do të jetë përsëri 10, por do të rritet informacioni për këto programe studimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›