E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxolli fajëson ushtarakun e vdekur

Drejtori teknik i fabrikës së çmontimit të predhave në Gërdec, Dritan Minxolli, i arrestuar tri ditë pas tragjedisë së 15 marsit 2008, përpiqet të ngarkojë me përgjegjësi ushtarakët. 

Trazhgim Sokolaj

Njëri nga personat që fajëson ish-drejtori i fabrikës së çmontimit në pronësi të Mihal Delijogjit, sipas Prokurorisë, ka mbetur i vdekur pasi gjendej brenda punishtes së Gërdecit në momentin që ndodhën shpërthimet mesditën e 15 marsit. Një qëndrim i tillë i ish-drejtorit të punishtes së çmontimit, sipas Prokurorisë duket të jetë një strategji mbrojtje, duke fajësuar një person, që tashmë nuk ka mundësi t'i përgjigjet akuzave që i bëhen nga punëdhënësi i tij, i cili siç akuzohet i ka shkaktuar vdekjen ushtarakut në lirim bashkë me 25 persona të tjerë. Me një komunikim paksa nervoz, Dritan Minxolli u ka thënë prokurorëve që kanë shkuar ta pyesin në burg, se ai nuk kishte dijeni për kushtet e trajtimit dhe demontimit të municioneve. Sipas dëshmisë së dhënë nga Dritan Minxolli, mësohet se ai u ka pohuar njerëzve të Prokurorisë, se kishte punësuar në fabrikë disa ushtarakë të dalë në lirim në mënyrë që ata të mbikëqyrnin procesin e trajtimit të municioneve dhe çmontimin e tyre. Sipas Dritan Minxollit ushtarakëve të punësuar prej tij, jo vetëm që u ishte kërkuar të mbikëqyrnin demontimin, por ata kryenin edhe përgatitjen e trajnimin e personave që kërkonin punë në fabrikë për t'u marrë me demontimin e fishekëve dhe predhave luftarake. "Nga shpjegimet e dhëna prej Dritan Minxollit ai ka sqaruar se, ditën që ndodhi tragjedia, brenda fabrikës, duke mbikëqyrur procesin e demontimit ka qenë një oficer i dalë në lirim, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e ngjarjes", konfirmuan burimet nga hetimi. Sipas tyre, tri herë me radhë, prokurorët kanë shkuar në qelinë e Dritan Minxollit për ta marrë atë në pyetje në prani të avokatit të tij. Pasi i kanë komunikuar se është i pandehur për akuzën e "shkeljes së rregullave për trajtimin e lëndëve luftarake dhe radioaktive", Dritan Minxollit i janë kërkuar sqarime për ngjarjen e ndodhur në fabrikën e çmontimit të predhave e municioneve, e cila drejtohej prej tij. Ai ka reaguar duke mos pranuar akuzën me argumentin se ai nuk ishte specialist për armatimet dhe se kishte kryer detyrën duke punësuar së paku katër ushtarakë në lirim në mënyrë që ata të kontrollonin punën dhe të përgatisnin punëtorët që gjithçka të ishte sipas rregullave ushtarake. Pavarësisht qëndrimit të tij, Prokuroria tha se Dritan Minxolli akuzohet se, ka punësuar të mitur në procesin e demontimit dhe ka lejuar që veprimtaria e punëtorëve në fabrikën e drejtuar prej tij, të ishte në shkelje të rregullave dhe të kushteve të sigurisë teknike për lëndët luftarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›