Meta: Berisha po kthehet në bojktotues të 3 ligjeve në parlament
E ndërsa miratimi i tre ligjeve për marrjen e statusit kandidat po kthehet në një mision të pamundur për parlamentin për ti votuar brenda këtij legjislacioni, kreu i LSI-së Ilir Meta ka akuzuar lidershipin e mazhorancës se po kthehet në një bllokator të ligjeve me shumicë të cilësuar.Nën këtë argument ai ka justifikuar edhe mungesën e opozitës në sallën e Kuvendit, duke deklaruar se kampi blu e tregoi qartazi në qëndrimin e tij gjatë ditës se nuk ka asnjë interes të pranojë kompromisin dhe ndryshimet e ofruara nga opozita.
Është për të ardhur keq kur pritet një reagim i kryeministrit Berisha për të pranuar kompromisin e tre ligjeve për të marrë statusin, pamë parodinë e radhës edhe këtë herë duke ndjekur sesi zoti Berisha nga një kërkues në të kaluarën sëbashku me mua ndaj gjithë aktorëve të tjerë politikë për të miratuar tre ligjet po kthehet në një bojkotues të ligjeve nga Kuvendi. Nuk është aspak serioze të mos miratohet kompromisi i ofruar prej nesh që ndihmon miratimin e ligjeve brenda këtyre ditëve. Çdo përpjekje për të mos kuptuar thelbin kontruktiv të propozimit tonë është përpjekje për tu arratisur nga përgjegjësitë. Qëndrimi i tyre ka qenë i qartë se nuk pranojnë të bëjnë asnjë ndryshim. Ato çfarë kemi propozuar ne kanë një arsyetim, sidomos me gjykatën e lartë. Pas 23 qershorit do kemi balanca të reja, Presidenti që do vazhdojë mandatin e tij do vazhdojë bashkëpunimin me mazhorancën e re.Ndaj e ftoj përsëri kryeministrin Berisha të jetë më i qartë për këtë çështje, nëse vazhdon me idetë e tij për të provokuar mosmiratimin e ligjeve është përgjegjësi e tij. Nëse vazhdon me idenë e referendumit pas zgjedhjeve, thjesht po përgatit bojkotimin e tre ligjeve nga opozita që të nesërmen ai vetë do ti përkasë tha Meta gjatë konferencës me gazetarët.