E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qeveria e re, me dy kryeministra"

Një prej zërave kundërshtarë në Partinë Socialiste, Ben Blushi u bëri thirrje dje deputetëve të kësaj partie që shohin me kujdes çështjen e bojkotit të Parlamentit. Madje ai sugjeron që më parë PS të presë raportin e OSBE-ODIHR dhe të vendosë më pas për mundësinë e bojkotit. "Unë besoj që është detyrim i të gjithë neve të komentojmë dhe të kuptojmë deklaratën e Oli Rehn dhe të Bashkimit Europian dhe besoj që sidomos Partia Socialiste ka detyrim të adaptojë këtë qëndrim, të adaptojë për të marrë vendimet e duhura, të arsyeshme në raport me zgjedhjet dhe në raport me Kuvendin e Shqipërisë. Besoj që deklarata e Oli Rehnit që i paraprin raportit të OSBE/ODIHR-it për këto zgjedhje, së pari njeh disa defekte që u vunë re në këto zgjedhje, gjë për të cilën PS është angazhuar t‘i zbardhë dhe së dyti është qëndrim i pastër kundër bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë", tha Blushi. Ndaj ai u kërkoi të gjithë deputetëve të PS të jenë të arsyeshëm, të mos marrin vendime nën imponim, për interesa personale të Edi Ramës, por të gjykojnë se luhet për fatet e PS që është votuar më 28 qershor për të shkuar në institucione dhe jo për të dalë në rrugë. "Duke u nisur dhe nga deklaratat e Oli Rehnit, duhet të presë raportin e OSBE/ODIHR për të marrë vendim në raport me institucionin e Kuvendit", deklaroi Ben Blushi, deputet i PS-së. Sipas tij, efektet e bojkotit do të jenë të rënda.

"Ky vendim do të ketë efekt shumë të rëndë. Mund të minimizojë kohezionin e brendshëm në PS, do ta vërë partinë në një pozitë të vështirë, pasi ndërkombëtarët nuk favorizojnë daljen nga institucionet. Rruga për t‘u kthyer në pushtet është rruga e institucioneve", u shpreh Blushi. Sakaq, ai komentoi edhe krijimin e qeverisë së re mes PD dhe LSI. Blushi tha se kjo është qeveria e dy kryeministrave që prioritet kishin ndarjen në 80 dhe 20%. "Besoj që ia vlen të kujtohet ai filmi ‘Ballë për ballë‘ me një rus dhe me një shqiptar të cilët nuk merreshin vesh se nga ta drejtonin nëndetësen 105. Kam përshtypjen ky do të jetë rasti i kësaj qeverie drejtuar me dy marinarë, në një det të trazuar, në një ekonomi në krizë. Dëgjuam vetëm se si u nda qeveria 80 për qind me 20 për qind. Dyshoj se i vetmi program që kjo qeveri ka, është nevoja për të ndaluar kthimin në pushtet të PS", vijoi Blushi. Më parë, Blushi është shprehur se çështja e bojkotit të Parlamentit nuk është diskutuar në kongres dhe se ajo është rikthyer në vëmendje një ditë më vonë nga kryetari i PS-së.

"Dua ta përsëris se ne e kemi konsumuar këtë debat
në Asamble dhe kemi qenë kundër bojkotit. Nuk e biseduam këtë debat në Kongres, duke e konsideruar të konsumuar. PS nuk erdhi në Kongres me idenë për të bojkotuar Kuvendin, kongresi nuk ka marrë vendim për të bojkotuar Kuvendin. Nëse ka mundësi që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjë për të cilën ne jemi dakord, kjo është vetëm në Parlament ku ka mundësi teorike dhe praktike për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme. Më vjen keq që opsioni i bojkotit po ngihet për arsye të dobëta
vetëm për t‘i dhënë Ramës mundësinë për të fituar garën në PS", tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›