E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimet nëntokë, sherr në Bashki

 

ZIRINA LLAMBRO

Ndërtimi i dy parkingjeve të para nëntokësore për Tiranën u bë dje mollë sherri në Këshillin Bashkiak. Mbledhja nisi një orë e gjysmë me vonesë. Kjo pasi krerët e grupeve të PD, LSI e PS nuk arritën të bien dakord paraprakisht për të shtyrë në mbledhjen e ardhshme miratimin e pikës dhjetë të rendit të ditës. Me anë të këtij projektvendimit përcaktohet lloji i koncesionit për parkimet në sheshin "Italia" dhe parkun "Rinia". Në propozimin e saj bashkia ka parë si formën më të mirë koncesionin (ndërtim/operim/transferim). Sipas drejtuesve të saj, do të ishte në interes të publikut zgjidhjet që kjo formë mundëson. "Fillimisht koncesionari ndërton objektin e më pas në bazë të kontratës operon për kohëzgjatjen dhe kushtet e parashikuara në kontratë dhe në përfundim të saj ja transferon Bashkisë së Tiranës", theksohet në relacion. Por anëtarët e LSI e kanë quajtur të paplotë projektvendimin duke kërkuar që miratimi i saj të shtyhej për mbledhjet e ardhshme. Dy forcat e tjera politike PS dhe PD, nuk e pranuan këtë pretendim. Kështu pasi krerët e grupeve nuk arritën t'i japin drejtim veçmas, diskutimet nisën sërish në sallën e mbledhjes. Gjithçka pas miratimit të rendit të ditës dhe hapjes së dritës jeshile për nëntë projektvendimet e  para. Në kohën kur për diskutim u hodh pika e dhjetë "Për përcaktimin e formës së dhënies me koncesion të dy parkimeve nëntokësore në qytetin e Tiranës", anëtarët e LSI braktisën mbledhjen. "Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij krimi që po bëhet me qytetin e Tiranës. Janë dy parkimet e para nëntokësore të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë. Shumë prej anëtarëve të këshillit kanë paqartësi për format e koncesionit. Prandaj ne po largohemi sepse nuk duam të kontribuojmë në këtë skenar mes PS-së dhe PD-së në dëm të qytetarëve", u shpreh Petrit Vargu, kryetar i grupit të LSI. Paskëtaj edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ka lënë drejtimin e mbledhjes dhe është ulur në radhët e anëtarëve të tjerë, duke kundërshtuar miratimin e vendimit. "Rregullorja më lejon që për rastet kur jam kundër një vendimi, t'i lë nënkryetarit drejtimin e mbledhjes. Gjithsesi do doja t'ju kujtoja edhe njëherë që bëhet fjalë për një vendim mjaft të rëndësishëm dhe nuk ka asnjë arsye pse të nxitohemi. Nuk është askush kundër ndërtimit të parkingjeve nëntokësore, por për aq kohë sa ka paqartësi me procedurat nuk ka pse të hedhim një hap të tillë", tha Dervishaj. Ai shtoi se personalisht i ka kërkuar bashkisë dosjen e plotë me dokumentet, letër-këmbimin me institucionet qendrore, studimet e nevojshme, por nuk është vënë në dispozicion asnjë material. "Në vend të kësaj dosje ka ardhur vetëm një dokument që përmban numra shkresash. Sot dosjen e plotë duhet ta kishte në dorë secili anëtar. Kini kujdes pasi eksperienca ka treguar se koncesionet në Shqipëri janë mjaft problematike. Investimet shtyhen dhe realizohen me vonesë", tha kryetari i Këshillit Bashkiak. Pretendimet e tij i ka kundërshtuar kryetari i grupit të anëtarëve të PD-së Ferdinand Poni. "Jemi në mes të një procedure që ju garantoj është transparente. Nuk kemi asnjë interes të mbrojmë diçka që nga dikush cilësohet si e kundraligjshme. Prandaj ajo pjesë që na takon ne le ta bëjmë. Të përdorim instrumentet për ta shqyrtuar, diskutuar e më pas ta hedhim në votë. Mjaft me slogane, pasi jemi ne të parët që do t'i dilnim kundër nëse do të kishte shkelje", tha Poni.

Debatet:

Petrit Vargu, LSI
"Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij krimi që po bëhet me qytetin e Tiranës. Janë dy parkimet e para nëntokësore, të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë. Shumë prej anëtarëve të këshillit kanë paqartësi për format e koncesionit. Prandaj ne po largohemi sepse nuk duam të kontribuojmë në këtë skenari mes PS-së dhe PD-së në dëm të qytetarëve.

Ferdinand Poni, PD
Nuk kemi asnjë interes të mbrojmë diçka që nga dikush cilësohet si e kundraligjshme. Prandaj ajo pjesë që na takon ne le ta bëjmë. Të përdorim instrumentet për ta shqyrtuar diskutuar e më pas ta hedhim në votë. Mjaft me slogane, pasi jemi ne të parët që do t'i dilnim kundër nëse do të kishte shkelje.

Sokol Dervishaj
Do doja t'ju kujtoja edhe njëherë që bëhet fjalë për një vendim mjaft të rëndësishëm dhe nuk ka asnjë arsye pse të nxitohemi. Nuk është askush kundër ndërtimit të parkingjeve nëntokësore, por për aq kohë sa ka paqartësi me procedurat nuk ka pse të hedhim një hap të tillë.

Besnik Bare, PS
Projekti për parkimet nëntokësore ka 3 vjet që është në proces. Prandaj nuk i shoh me vend argumentet tuaja. Propozoj të kalojë në rendin e ditës dhe të votohet. Është një zgjidhje që e presin qytetarët e Tiranës dhe nuk kemi pse t'ua mohojmë ne.

Rendi i ditës

Këshilli bashkiak miratoi dje 14 vendime nga 17 që i përkisnin rendit të ditës. Vendimi për ndërrimin e emrit të rrugës "Jul Varibova" me "Dritan Hoxha" u shty për në mbledhjet e tjera, ku sipas anëtarëve pritet të paraqitet një studim i mirëfilltë për emërtimin e rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›