E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia nga gazi, vdes një fëmijë

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Rrjedhja e gazit nga një autobot 11 tonësh që po furnizonte një cisternë gjigante, shkaktoi tragjedi në fshatin Lapardha të Beratit.Një vajzë 9 vjeçe u asfiksua dhe më pas u shkrumbua pasi nga  gazi mori flakë dhoma ku po qëndronte, ndërsa dy prindërit e saj dhe drejtuesi i autobotit pësuan djegie të shkallës së rëndë dhe ndodhen në rrezik për jetën në repartin e djegieve në Tiranë. Flakët rrezikuan shpërthimin e autobotit të mbushur me gaz dhe cisternës. Nëse do të kishte ndodhur kjo, atëherë përmasat e kësaj ngjarjeje do të ishin katastrofike për gjithë fshatin, në një rreze të konsiderueshme.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë që mbajti në panik për disa orë gjithë fshatin ndodhi rreth orës 12.00. Sipas policisë, flakët e shkaktuara nga rrjedhja e gazit morën jetën e vogëlushes Ardenisa Cani. Ndërsa janë djegur rëndë Bektash Cani 40 vjeç, bashkëshortja e tij, Zana Cani 38 vjeç, si dhe shoferi i autobotit, Pashanjor Ago 53 vjeç, nga Fieri. Zjarri ka rënë në momentin që autoboti që kishte sjellë gazin nga Fieri do të furnizonte cisternën disa tonëshe. Rezervuari i gazit, prej të cilit merrte gazin e gjithë komuna e Otllakut, Lumasit dhe disa fshatra të tjerë, ndodhej thuajse në qendër të Lapardhasë. Pronari i saj, Bektash Cani bashkë me të shoqen kishin porositur autobotin të vinte nga Fieri për t'u furnizuar me gaz. Kur autoboti shkoi në vend dhe nisi punën për ta kaluar gazin në cisternë, tubacionet kanë nisur të rrjedhin. Guarnicioni i amortizuar duket se shkaktoi edhe tragjedinë. Në rrethana ende të paqarta, gazi i rrjedhur në tokë mori flakë menjëherë duke shkaktuar edhe tragjedinë. Vetëm një metër larg cisternës ndodhej një godinë në të cilën pronari i saj mbante bombola gazi. Në një nga këto dhoma është gjendur vajza 9 vjeçe. Ndërsa në derën e jashtme të një tjetër dhome, pronari Bektash Cani, po ziente raki. Dyshohet se shkëndijat e zjarrit provokuan flakën, duke rrezikuar deri në shpërthimin e botit përplot me gaz.
PANIKU
Ndonëse në vendin e ngjarjes, policia dhe zjarrfikëset arritën në kohë rekord, sërish vajza 9 vjeçe e familjes Cani nuk i mbijetoi kësaj tragjedie. Ajo u ndodh brenda rrezes ku u përhapën flakët me shpejtësi dhe u shkrumbua. Ngjarja e djeshme shkaktoi panik të madh edhe për banorët e tjerë të Lapardhasë. Policia u detyrua të bëjë evakuimin e qindra banorëve, prania e të cilëve ishte tepër e rrezikshme në rast të shpërthimit të autobotit apo cisternës të cilët ishin në flakë. Burime nga ekipi i shpëtimit që shkoi në vendin e ngjarjes bënë të ditur se pas evakuimit të banorëve, është bërë eliminimi i vatrës me ftohje, si e vetmja mënyrë për të evituar katastrofën. Afër vendit u ndodhën dhjetëra banorë, punonjës të zjarrfikëses dhe efektivë të policisë, të cilët rrezikonin jetën në rast të një shpërthimi. Një efektiv i policisë së Beratit e ka larguar rreth 1 kilometër autobotin që të mos rrezikonte jetën e banorëve dhe të ekipit që punoi për shuarjen e flakëve. Në operacion morën pjesë 2 zjarrfikëse dhe një mjet me forcat e gatshme të tyre. Rreth orës 13.20, policia dhe zjarrfikëset patën gjendjen nën kontroll.
SHKAKU
Shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë mbetet ende i pazbardhur, ndonëse policia ka ngritur tashmë disa pista hetimi. Burime të policisë bënë të ditur se, dyshimet më të forta për gazin që mori flakë lidhen me ndonjë shkëndijë zjarri nga vatra ku po zihej rakia, në pronësi të Bektash Canit. Kur shkëndija ka prekur gazin është shkaktuar zjarr i menjëhershëm. Gjithashtu, dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë pakujdesi e pronarit apo e drejtuesit të autobotit. Ata padashur mund të kenë hedhur bishtin e cigares pa fikur në vendin ku kishte rrjedhur gazi. Një tjetër pistë ka të bëjë me ndonjë shkëndijë të mundshme elektrike. Policia bëri të ditur se është duke hetuar pa përjashtuar asnjërën nga këto pista. Sipas burimeve, pronari dhe shoferi nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik në momentin e shkarkimit të gazit nga autoboti te cisterna. Shkarkimi duhej shoqëruar me tubacione me rubinete të sigurta dhe hermetikë, që gazi të mos depërtonte në ambient të hapur.

Dëshmitari: Evakuuam fëmijët
Të tronditur dhe në panik, banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja rrëfejnë gjithçka kishte ndodhur. S.Cani, 30 vjeç, është i afërm i familjes që u prek më rëndë nga kjo tragjedi. "Kemi marrë fëmijët dhe jemi larguar nga fshati. Na tha policia se duhej të largoheshim, ishim të frikësuar, pasi në rast të ndonjë shpërthimi, askush nuk mund ta dinte se cilat ishin pasojat. Autoboti kishte disa tonë gaz dhe rrezikonte gjithë fshatin", u shpreh 30-vjeçari, ndërsa përlotet për vajzën 9 vjeçe, e cila u bë viktimë e kësaj ngjarjeje. Sipas tij, ishte e pamundur t'i shpëtohej jeta, pasi ajo ishte shumë afër zjarrit. Familja Cani merrej prej 5 vitesh me këtë aktivitet, por nuk kishte pasur më parë probleme gjatë furnizimit apo shitjes së bombolave të gazit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›