"Po manipulohet me çështjen, në makinë futën një pistoletë"
SHKODER - "Jeta ime pas atentatit për motive politike, që mu bë në rrugën e Zogajve është në rrezik serioz. Kjo shihet dhe me masat që ka marrë policia, ku gjatë 24 orëve qëndrojnë tek dera e dhomës policë që më ruajnë". Kështu është shprehur në një deklaratë për mediat Marjan Gryka, ish-truproja e Azem Hajdarit, i plagosur mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Shkodër-Zogaj. Ndërsa policia është ende në hetim të çështjes, duke mos dhënë deklaratë zyrtare mbi motivet e saj është vetë Gryka që jep elementët e rinj. Sipas tij, nga burime brenda policisë ka mësuar se në makinën e tij i është gjetur një pistoletë që rezulton pa leje. "Këqyrja e makinës në vendin e ngjarjes si dhe transportimi i saj është bërë në kundërshtim me ligjet shqiptare, pasi makina është transportuar pa dijeninë e familjarëve të mi, apo të afërmve të tjerë. Ndaj dhe mua, me të drejtë më lind dyshimi dhe nuk kam frikë ta pohoj se segmente të caktuara kanë përfituar nga kjo e kanë bërë çfarë kanë pasur dëshirë brenda e jashtë makinës. Gjithçka bëhet për të krijuar situata inskenuese nga policia, për të devijuar thelbin e vërtetë të ngjarjes dhe duke e klasifikuar atentatin ndaj meje si diçka ordinere", shprehet Gryka, i cili këmbëngul se "atentati i është bërë nga njerëz me pushtet, që nuk duan rihapjen e çështjes së Azem Hajdarit". Marjan Gryka u qëllua me disa plumba pistoletë mbrë-mjen e 28 shtatorit, në aksin rrugor Shirokë-Zogaj, prej të cilave u plagos në këmbë. r.d