E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po përdoren financat publike për fushatë”

 

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se është duke përdorur financat për qëllime politike. Deputeti socialist Arben Malaj ka denoncuar dje rritjen disa herë të rivlerësimeve tatimore, ndërsa ekonomia shqiptare po shkon drejt regresit. “Të rritësh në mënyrë arbitrare tatimet, pikërisht kur pranon që ka rënë ndjeshëm rritja ekonomike e vendit tënd, është politika fiskale jo ekonomike dhe me pasoja ekonomike dhe sociale negative afatgjata. Kjo ndodh për shkakun e vetëm që qeveria të kompensojë rënien e të ardhurave dhe njëkohësisht të financojë qoftë me 10-15% qindra projekte elektorale, për të cilat disa dhjetëra kompani dhe mijëra punëtorë janë në stresin e punës së pa paguar” - tha deputeti i PS-së Malaj. Më tej, Malaj shtoi se “çdo e ardhur abuzive sot në buxhet, nesër është një deficit i rritur dhe një taksë e rritur për taksapaguesit shqiptarë”. Partia Socialiste i ka bërë thirrjes çdo punonjësi të administratës fiskale të mos firmosë urdhra rivlerësimi abuzive ndaj biznesit. Sipas saj, kjo përbën shkelje të rëndë të ligjit të procedurave tatimore dhe është abuzim dhe korrupsion me detyrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›