E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Shkojmë menjëherë në Kuvend, sapo të na plotësohen kushtet”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë dje një konferencë për shtyp, ku ka prezantuar në mënyrë të detajuar të gjitha kushtet e vendosura për hyrjen e Partisë Socialiste në Kuvend. Këto kushte u hartuan në mënyrë specifike nga grupi i posaçëm, i krijuar brenda radhëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kushtet kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, me rinumërimin e votave në disa zona zgjedhore, vënien para ligjit të zyrtarëve që abuzuan me lejet për të dënuarit, rikthimin në punë të aktivistëve të PS-së, mbrojtjen e medias nga presioni qeveritar, si dhe zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindit. Teksa deklaroi bojkotin për seancën e parë të Kuvendit, Rama theksoi se Partia Socialiste është e gatshme që të hyjë në Kuvend në momentin e parë të plotësimit të këtyre kushteve. “PS-ja nuk e ka bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë. PS-ja kushtëzon hyrjen në Kuvendin e Shqipërisë dhe është e gatshme të hyj në çdo moment që gjithçka parashtrova bëhet e mundur”, - tha Rama.

Zgjedhjet
Hetimi administrativ i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe zbardhja e maskaradës zgjedhore është dhe kushti kryesor i vendosur nga Partia Socialiste për hyrjen në Kuvend. Për këtë socialistët kërkojnë miratimin e një ligji të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor, drejtuar me shumicë nga opozita parlamentare, si dhe me praninë e OSBE-ODIHR-it. Kreu i PS-së, Edi Rama, tha se ky komision duhet të jetë serioz në punën e tij dhe jo te jetë pjesë e farsës parlamentare. “Ne nuk duam përsëritjen e një tjetër farse hetimore parlamentare në vazhdën e shëmtuar të këtyre komisioneve që i kanë lënë radhën njëri-tjetrit, pa arritur në asnjë përfundim e konkluzion serioz dhe të denjë, por duam që të na jepet mundësia që të bëjmë transparencën e procesit për të gjithë opinionin publik”, - u shpreh Rama. Gjithashtu ai prezantoi si kusht të PS-së kërkesën për transparencë për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi ndërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. Rama kërkoi gjithashtu identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve, që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj - 28 qershor 2009 persona të dënuar.

Fushata
Rama përcaktoi si kusht shumë të rëndësishëm rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore, të cilët u pushuan apo u transferuan nga puna, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kontribuuan në fushatën e Partisë Socialiste, apo ishin përfaqësues të opozitës në komisionet zgjedhore. Shefi i selisë rozë kërkoi rikthimin në punë edhe të atyre nëpunësve që nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtaritë politike të PD-së apo të qeverisë. Ai përmendi gjithashtu kërkesën për identifikimin e përgjegjësive institucionale dhe administrative të të gjithë drejtuesve të institucioneve publike, të cilët, në kundërshtim me ligjin, kanë shpërdoruar funksionet dhe administratën publike për fushatën elektorale të PD-së. Rama theksoi gjithashtu se Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon ndryshimet përkatëse ligjore për balancimin e plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Publik, si edhe ndalimin e reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore. Kërkesa e radhës e Partisë Socialiste ishte transparenca dhe përshpejtimi i hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, me asistencë të pavarur hetuesish ndërkombëtarë. Kushti i fundit i vendosur nga PS-ja është garantimi i partitetit numerik maxhorancë-opozitë në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›