E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim për dy të rinj, u kapën me lëndë narkotike

Antidroga

Dy të rinj janë vënë në hetim nga policia, pasi u janë gjetur lëndë narkotike. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur dje se 28-vjeçari Shpëtim P., është vënë nën hetim pasi i është kapur një sasi lënde narkotike prej 3.8 gramësh kanabis sativa. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, 28-vjeçari, banues në Shkodër, me arsim 12 klasë, është kapur rreth orës 22:00, në rrugën “Irfan Tomini”, dhe gjatë kontrollit i është gjetur me vete droga e sekuestruar. Dje policia ka vënë nën hetim dhe një 26-vjeçar. Sipas të dhënave nga antidroga e kryeqytetit, dy ditë më parë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Ention I., 26 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë, sepse në orën 13:00, në ambientet e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, i është gjetur një sasi lënde narkotike, e llojit heroinë. Burimet zyrtare nga policia thanë se “Ention I., iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 0.7 gramë heroinë”. Ndaj dy të rinjve ka nisur procedimi penal, për mbajtje të lëndëve narkotike, ndërkohë që po verifikohet nëse drogën të rinjtë e mbanin për vete, apo e kishin për ta shitur. Pas përgatitjes së dosjes dhe materialeve të hetimit, dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, që do të bëjë hetimet e tjera në vazhdim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›