Banorët e rinj fusin xhelozinë mes Bertinës dhe Erionit
Bisedat e Bertinës me banorët e rinj brenda shtëpisë së “Big Brother” kanë shkaktuar xhelozi tek Erioni dhe anasjelltas. Ky fakt është vënë re prej banorëve më të vjetër dhe kjo ka bërë që mes tyre të lindë një diskutim në lidhje me Erionin e Bertinën. Miri thotë se Erioni ishte duke ndenjur shumë afër e duke puthur vajzat e reja, ndërsa “miza” kishte ikur e mërzitur
Banorët e rinj kanë qenë në qendër të vëmendjes për banorët e vjetër të shtëpisë së “Big Brother”. Këta të fundit kanë diskutuar në lidhje me ta, por edhe janë afruar për t’i njohur më mirë. Nominimet dhe shtëpia e re kanë qenë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e diskutimeve. Ndërkaq, me hyrjen e të rinjve kanë nisur edhe xhelozitë mes Erionit e Bertinës, të cilat janë vënë re edhe prej të tjerëve.
Erioni e Bertina, xhelozë për njëri-tjetrin
Erioni ngacmon Bertinën, e cila njihet dhe bashkëbisedon me banorët e rinj. Ai e pyet nëse ajo do dëshironte që ai të ishte në shtëpinë e re me të nominuarit, por ajo nuk i kthen përgjigje. Ai vazhdon të flasë e të bëjë rolin e xhelozit, duke i thënë se nëse ka gjëra interesante në këtë shtëpi dhe ajo do donte që ai të largohej, është e lirë të bëjë çfarë të dojë, sepse ai nuk e ka problem. Bertina vazhdon të mos i kthejë përgjigje, por kur fillojnë të kërcejnë, është ajo që nuk ndjehet rehat pasi ai sheh vetëm nga shtëpia tjetër e nuk e ka mendjen plotësisht tek ajo.
Olta kërkon të sqarohet
Olta i kërkon Jetmirit që të diskutojnë për zënkën e tyre. Ndërsa janë vetëm, ajo i thotë që ai duhet t’i kërkojë falje. Miri ia kthen se këtë gjë e ka bërë tashmë, madje atë natë i kërkoi që të dilnin në kopsht bashkë dhe e kishte puthur në faqe, gjë që Olta nuk pranon se ka ndodhur. Ajo i thotë se ai duhet të ishte treguar më i drejtpërdrejtë nëse donte vërtet të kërkonte falje, pasi mes tyre u bë një zënkë e madhe dhe nuk mund të mjaftohej veç me një puthje në ajër. Pranë tyre vjen Eduardi dhe Miri përfiton nga rasti për t’u larguar, duke e lënë sqarimin përgjysmë.
Për nominimet
Të nominuarit diskutojnë se sërish këtë javë janë në nominim shumë banorë dhe habiten se përse mund të ndodhë kjo gjë. Domenika thotë se nuk po arrin të kuptojë gjë, ndërsa Miri mendon se banorët nuk janë të vërtetë dhe ndryshe duken e ndryshe shprehen në dhomë të rrëfimit. Ata flasin edhe për argumentet që dhanë në dhomë të rrëfimit dhe shprehen se duhet të gjejnë arsye më bindëse, pasi një javë është e mjaftueshme për të krijuar një ide për banorët që do nominojnë. Eduardi ende nuk e kupton se përse publiku qeshi me të kur Arbana përmendi emrin e tij se ishte i nominuar, por të tjerët i thonë se qeshën pasi ai nuk pati asnjë lloj reagimi. Pasi ngelen vetëm, Edi dhe Renato diskutojnë se cili mund t’i ketë nominuar. Edi e thekson sërish se nuk e priste nominimin, por shton se është lojë dhe janë gjëra që ndodhin. Ai hamendëson se njëri prej atyre që e ka nominuar është Seldi, pasi ka një javë që ka vënë re largimin e tij, ndërsa personi tjetër mund të jetë Domenika. Edhe në shtëpinë tjetër flitet për këtë temë. Erioni tregon se e kishte shumë të vështirë për arsyet, sepse nuk dinte se çfarë të thoshte e ndaj për Edin tha se fle gjithë ditën. Bashkë me Hakiun dhe Gracielën ata tregojnë se Edi e shprehu që në fytyrë se nuk e priste, por të gjithë thonë se duan veç ta shohin se si do reagojë ai gjatë kësaj jave, se si do ndikojë nominimi, pasi e dinë që ai është njeri i mirë. Ata thonë gjithashtu se për të gjashtë banorët e nominuar kjo javë do jetë e vështirë, pasi të gjashtë janë lojtarë të fortë. Hakiu mendon se më e rrezikuara do jetë Olta.
Për të rinjtë
Gjashtë banorët e vjetër, të cilët janë në nominim dhe të akomoduar në shtëpinë e re, veç të tjerëve, diskutojnë për futjen e pesë banorëve të rinj në shtëpi. Domenika shprehet edhe se u ndje më rehat që erdhën në shtëpinë e re dhe nuk ndenjën së bashku me banorët e rinj, duke thënë se nuk kishte nerva që t’i njihte ata. Ajo shton se ua ka frikën banorëve të vjetër se mund të ndjehen të sulmuar nga të rinjtë, pasi ata ishin shprehur se i kishin ndjekur dhe i njihnin banorët e vjetër. Domenika mendon se edhe çështjet e xhelozisë mes banorëve të vjetër e atyre të rinj mund të jenë shkak që të vjetërit të rrezikojnë për eliminim gjatë javëve të tjera, por bashkëbiseduesit e hedhin poshtë këtë mendim. Ata thonë se banorët e vjetër janë lidhur shumë me njeri-tjetrin dhe nuk mund të rrezikojnë veten. Miri shton edhe se një gardh i ndan, ndaj edhe mund t’i kontrollojnë bisedat e tyre. Edi dhe Miri afrohen te gardhi ku ndodhet Hakiu dhe vazhdojnë të flasin për këtë bisedë. Miri i këshillon që të kenë kujdes, sepse të vjetrit janë më të lodhur psikologjikisht se ata, por Kika thotë se do përpiqen që të qëndrojnë të bashkuar. Ai shprehet se banorët e rinj kanë avantazhe, por Miri mendon se nëse qëndrojnë të gjithë bashkë, do ia dalin. Miri shton se është ndryshe kur i shohin nga televizori e ndryshe në shtëpi dhe sjell shembullin e Renatos. Kika i tregon atij përshtypjet dhe bisedat e para me të rinjtë. Ai thotë se mund të futen edhe banorë të tjerë më vonë. Dy djemtë bisedojnë edhe për nominimet, ku Miri shprehet se do ta ketë të lehtë javën tjetër t’i nominojë të rinjtë, me arsyen se s’i njeh, por Kika mendon se mund të bëhen nominime brenda grupit, dy shtëpive.
Thashetheme për Erionin dhe Bertinën
Erioni ngacmon Domenikën dhe i thotë se për sa kohë ajo nuk ishte e pranishme, Seldi i recitonte poezi romantike grupit tjetër, ndërsa Jetmiri ngacmon Erionin për Bertinën. Pasi ndahen dy grupet e banorëve, biseda për Erionin dhe Bertinën vazhdon mes banorëve të nominuar. Seldi pyet Mirin se përse po e ngacmonte Erionin dhe ai i tregon se Erioni ishte duke ndenjur shumë afër e duke puthur vajzat e reja, ndërsa Bertina kishte ikur e mërzitur. Domenika shprehet se nuk i pëlqen kjo gjë, që ai ta bëjë këtë veç për të bërë Bertinën xheloze. Seldi mendon ndryshe dhe thotë se ai bën mirë, sepse nuk duhet t’i vejë pas avazit Bertinës. “Epo unë nuk rri të të bëj fresk gjithë ditën, si e bën Erioni”, thotë ai, por Domenika e kundërshton dhe thotë se Bertina nëse e pëlqen Erionin, mund të dojë kohë që të lidhet me të, ose e bën veç për lojë, por që këtë askush nuk mund ta dijë. “çdo njeri sillet sipas mënyrës së vet”, mendon ajo, por Olta ia kthen se nëse e bën për lojë, atëherë nuk do ishte ndjerë keq që Erioni iu afrua të tjerave.
Përshtypjet e para
Tre djemtë fillojnë të diskutojnë për banorët e rinj, ku Seldi dhe Miri duken më të interesuar, pasi mendojnë se s’do kenë shumë mundësi për t’i njohur. Kika tregon përshtypjet e para për vajzat dhe thotë se Ada i pëlqeu më shumë se Rezarta, sepse ishte më e shkathët e pa komplekse, kurse tjetra i ishte dukur “tullë”, bosh, se disa biseda të saj nuk i pëlqyen, ndërsa për djemtë thotë se nuk kanë folur shumë e s’ka krijuar ende ndonjë mendim. Ata thonë se Valoni u duket djalë i thjeshtë, i mirë e pa komplekse.
Jetmiri dhe Hakiu sqarohen
Jetmiri dhe Hakiu përfitojnë nga rasti dhe sqarohen për çështjen e intrigave që kishte krijuar Miri dhe Gjimi. Kika i thotë se ai ka vepruar gabim dhe se ka bërë një lojë të pistë pas krahëve të tij, por Jetmiri justifikohet se kishte vënë re se ishte formuar një grup dhe se Gjimi ishte duke mbledhur informacione nga të dyja anët, ndaj kishte menduar që t’i frynte pak zjarrit e ta përdorte këtë situatë edhe në anën e vet. Jetmiri pranon se ka luajtur dhe se disa fjalë kanë dalë prej tij, por e ka bërë qëllimisht për të nxjerrë në dukje fytyrat e vërteta të disa banorëve. Ai shprehet se Kika duhej ta kishte kuptuar lojën e tij, ndërsa Kika i thotë se nuk e priste që kjo lojë e pistë të zhvillohej prej Mirit, por prej Gjimit. Dy banorët tregojnë gjithashtu se kanë nominuar njëri-tjetrin, ku Kika thotë se e nominoi me arsyen se Miri ishte shprehur që kur të jetë në nominim, do bëjë lojë të vërtetë dhe ndërkohë javën e kaluar ka qenë pasiv, ndërsa Miri tregon se e ka nominuar me arsyen se është konkurrent i fortë.
Njihen me Klodin, zgjohen të tjerët
Me tre djemtë që nuk kanë fjetur fare, bashkohet edhe Klodi, i cili sapo është ngritur prej gjumit. Ata bëjnë një prezantim paraprak me banorin e ri e më pas diskutojnë për të. Ata e pyesin Klodin për vendin ku jeton dhe për punën që merret. Klodi u tregon se ka vite që jeton në Itali i vetëm dhe punon si organizues festash në një lokal në Itali. Seldi e pyet se si e mori iniciativën për të konkurruar te “Big Brother” dhe ai thotë se ishin miqtë e vet që e inkurajuan të merrte pjesë në këtë edicion. Klodi u tregon djemve se i ka ndjekur në internet, por di pak gjëra për ta e kështu ata i tregojnë disa gjëra të përgjithshme. Banorët e tjerë që janë ende në gjumë, zgjohen menjëherë pasi vihet muzika. Seldi dhe Miri vrapojnë për të zgjuar bashkëjetuesit e tyre dhe këndojnë me zë të lartë në dhomën e gjumit. Edhe banorët e tjerë në shtëpinë e vjetër zgjohen menjëherë. Të gjithë janë të gëzuar që dëgjojnë muzikë e këngë të huaja. Banorët përshëndeten me njëri-tjetrin e më pas ngrihen e shkojnë në kuzhinë, ku përgatisin kafet. Surprizë për banorët është edhe vënia përsëri e këngëve shqiptare të vjetra.
#