E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëngjin, komunarët në gjykatë për abuzime

 

LEZHE - Prokuroria e Lezhës akuzon komunarët e Shëngjinit për abuzime me trojet në bregdet. Hetimi nisi në bazë të raportit të Kontrollit të Lartë i Shtetit, i cili gjatë inspektimit të kryer në komunën e Shëngjinit konstatoi një sërë shkeljesh dhe aferash të shitblerjeve abuzive të trojeve të bregdetit. Pas raportit të KLSH-së, në të cilën evidentoheshin shkeljet me trojet nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të komunës, u vu në lëvizje organi i akuzës. Burime të kësaj prokurorie bënë të ditur se pas shqyrtimit dhe hetimit të materialit kallëzues të KLSH-së, kanë dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës Luigj Prelën, aktualisht kryetar i komunës së Shëngjinit, Ndue Kolecin, ish-kryetar i komunës, si dhe Mëhill Ndreun, Gjergj Gjonin dhe Fran Prelën. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim të pronës publike në mënyrë të paligjshme. Akuza i referohet aferave të vitit 2005. Prokuroria bëri të ditur se ka marrë të pandehur me akuzat e mësipërme dhe e ka dërguar dosjen në gjykatë për Ndue Kolecin, ish-kryetar i Komunës, subjekt i PS, Luigj Prela, në atë periudhë ishte kryetar i Këshillit të Komunës, subjekt i PD-së, dhe Mëhill Ndreu ishte këshilltar dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në Shëngjin. Tashmë zyrtarët e komunës do të përballen me drejtësinë për aferat e shumëpërfolura të shitblerjeve abuzive të trojeve në bregdetin më të lakmuar të Shëngjinit. Mësohet se kryetari aktual i kësaj komune, Luigj Prela dhe nënkryetari i saj, Gjovalin Maklaj janë nën hetim dhe për tenderin e pastrimit të komunës së Shëngjinit në vitin 2007. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›