E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyq çdo ditë për "Bandën e Durrësit"

 

TIRANE - Duke e vlerësuar të zvarritur procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të "Bandës së Durrësit", prokurorët e çështjes kërkuan dje nga gjykata zhvillimin e seancave në çdo ditë të javës. Shtyrja e seancës së radhës, për shkak të mungesës së një prej avokatëve mbrojtës, ka dështuar sërish marrjen në pyetje të të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Adriatik Coli. Në kërkesën e tyre përfaqësuesit e akuzës pohuan se shtyrjet e herëpashershme të seancave kanë bërë që një vit e gjysmë pas fillimit të gjykimit nuk është pyetur asnjë dëshmitar. Ndërsa gjykata nuk u shpreh në lidhje me kërkesën në fjalë. Në seancën e djeshme Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e bërë nga Endrit Dokle, Lulzim Berisha dhe Indrit Taullai, për t'u përfaqësuar nga avokatët e zgjedhur prej tyre dhe jo prej atyre të caktuar nga gjykata. Prokurorët e çështjes kontestuan raportin mjekësor të paraqitur në gjykatë nga avokati që mundonte Petraq Selmani. Nga ana e saj, gjykata e cilësoi atë të rregullt dhe se ai justifikonte ligjërisht mungesën e avokatit Selmani, i cili mbron interesat e Kujtim Bunës. Të 17 anëtarët e "Bandës së Durrësit" akuzohen nga prokuroria për një numër të madh veprash të rënda penale. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë për Krimet e Rënda, gjatë ekzistencës së saj banda është përfshirë në konflikte të shkaktuara prej krijimit të dy grupeve brenda saj. Konflikte këto, që janë pasuar me episode kriminale, përfshi vrasje, plagosje dhe atentate.                                    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›