Trafik droge nga Lazarati në Greqi, studenti: Në burg humbas shkollën
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë "burg pa afat" për studentin e Ekonomikut në Gjirokastër, Klodian Basha, i cili u arrestua më 17 nëntor 2008 në tentativë për trafikimin e 108 kileve drogë në drejtim të Greqisë. Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, studenti kërkoi dje në sallën e gjyqit të lirohet nga burgu me qëllim që të ndjekë studimet, të cilat i ndërpriten në rast të mbajtjes së tij në qeli. Megjithatë togat e zeza të Krimeve të Rënda, vendosën mbajtjen në burg për 24-vjeçarin, pasi Prokuroria e akuzoi atë si transportues i lëndës së hashashit në një linjë ndërkombëtare trafiku që nis në Lazarat, vazhdon në Gjirokastër dhe përfundon në Greqi. Pas kapjes së 108 kileve mariajuanë të vendosur në tri çanta që po transportoheshin nga studenti përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, dosja penale i kaloi për hetime Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit mësohet se ka identifikuar së paku edhe tre persona të tjerë të implikuar në këtë rrjet trafiku, dy prej të cilëve tashmë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Aksioni për bllokimin e drogës u realizua nga policia katër ditë më parë, pas administrimit të imazheve të fiksuara nga kamerat e vendosura në kufi mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas hetimeve, droga ishte siguruar në Lazarat dhe po trafikohej për në Greqi, me qëllim shitjen e saj kundrejt shumave të konside-rueshme. tr.so