Sulmi i Topit: 8868 vendime gjyqësore të paekzekutuara
Fatos Mahmutaj
Tri të pestat e vendimeve të gjykatave shqip-tare kanë mbetur të paekzekutuara. Shifrën e deklaroi dje Presidenti i Republikës gjatë një takimi konsultativ mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë, atyre të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kryeprokurores Ina Rama. Në takim ishte i ftuar edhe Ministri i Drejtësisë, i cili mungoi për shkak se ndodhej në inaugurimin e Gjykatës së Peshkopisë. Duke iu referuar shifrave të fundit të vëna në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë, Topi tha se bëhej fjalë për plot 8868 vendime gjyqësore të formës së prerë që nuk janë ekzekutuar. "Janë të gjitha statistikat e azhornuara të ditëve të fundit ku, vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar. Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë", pohoi Presidenti Topi gjatë fjalës së vet. Ndërsa duke iu drejtuar të pranishmëve, kreu i shtetit tha: "Ju jeni angazhuar në një punë shumë komplekse, qytetari ka pasur një marrëdhënie direkt e psikologjike me çështjen dhe nuk e gjen të zbatuar". Duke vazhduar këtë linjë, Presidenti Topi pohoi se: "E keqja nuk qëndron këtu, sepse mund të ketë interesa midis individëve; kuptohet që e kanë shumë të vështirë që të jenë pjesë e këtij zbatimi, por ka dhe struktura shtetërore, ku njerëz me përgjegjësi të drejtpërdrejtë frenojnë zbatimin e ligjit". Duke argumentuar këto pohime, Topi tha se me cilësinë e Kryetarit të Shtetit, pa diskutim, kishte edhe informacione të tjera, që edhe mbas vendimeve të Gjykatës së Lartë, pas vendimeve të formës së prerë, njerëz që punojnë në administratë vazhdojnë operacione mbas këtyre vendimeve për t'i dhënë zgjidhje administrative. "Ku është sensi i shtetit këtu?", tha Presidenti. Ndërkohë burime nga Ministria e Drejtësisë pohuan se të paktën për kryeqytetin, Përmbarimi ka kaluar në duar gjatë gjithë vitit rreth 3200 çështje, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël e tyre ka mbetur pa u ekzekutuar ende dhe se ndodhen brenda afatit ligjor. Ndërsa duke sqaruar çështjet e papërfunduara, nga përmbarimi pohohet se mes atyre ndodhen edhe 5 çështje ku pala debitore është institucioni i Presidencës dhe që nuk ka pranuar t'i shlyejë vullnetarisht detyrimet.
Alibeaj: Vendimet janë shqetësim edhe për ne
TIRANE - Ministria e Drejtësisë tha dje se bashkohet me shqetësimin për çështjen e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, e cila është trajtuar nga Presidenti i Republikës ditën e djeshme.Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ministria tha se "duke iu referuar statistikave zyrtare në periudhën janar-shtator të këtij viti, në çështjet që janë pjesë e punës së shërbimit përmbarimor, janë ekzekutuar 3675 raste dhe u është dhënë zgjidhje ligjore 5994 çështjeve të tjera. "Shifra 8868 dosje nuk tregon numër çështjesh të zvarritura apo të mbetura pa ekzekutuar sipas ligjit. Kjo, referuar statistikave zyrtare, tregon numrin e çështjeve në ekzekutim e sipër nga shërbimi përmbarimor, pra në proces sipas procedurave të fiksuara në Kodin e Procedurës Civile, i cili parashikon veprime konkrete për t'u kryer nga përmbaruesi dhe afate konkrete për t'u përmbushur këto veprime", thuhet në deklaratën e ministrisë.