E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Datën e çlirimit nuk e vendos politika

Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, ishte në Varrezat e Dëshmorëve, ku zhvilloi ceremoninë e rastit dhe nga ku theksoi se 28 dhe 29 nëntori janë dy datat më të rëndësishme në historinë tonë.

"29 nëntori është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, që i ka dhënë vlerë 28 nëntorit për një arsye shumë të qartë, sepse ka qenë fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka qenë rreshtimi shumë i mençur dhe i drejtë i partizanëve shqiptarë, që garantoi dhe i bëri të paprekshme themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar", theksoi Meta. Ai shprehu mirënjohje ndaj atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit më 29 nëntor 1944, "ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste, që nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë, jetën dhe rininë e tyre për lirinë e Atdheut".

I pyetur për debatin lidhur me datën e çlirimit të Shqipërisë, Meta tha se "datën nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme dhe aq më shumë partitë politike". "Zgjedhja e 29 nëntorit tregon se kjo është dita e Çlirimit të vendit dhe emocionet politike nuk duhet të ngarkohen mbi historinë, sepse nuk i bëjnë mirë as historisë dhe as politikës". nënvizoi kreu i LSI-së. /Start/

                                                                                             2011-11-29 13:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›