E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani hipotekon vendin e dytë

 

Milani vazhdon të fitojë bindshëm. Tashmë humbja e fundit është vetëm një kujtim i largët që daton më 1 mars 2009, kur kuqezinjtë humbisnin në “Marasi” kundër Sampdorias 2-1, dhe që nga ai moment, Ançeloti dhe lojtarët e tij kanë regjistruar gjashtë fitore dhe një barazim. Gjithsesi, kjo vazhdë rezultatesh pozitive nuk i jep shpresa të kota tekniku milanist. “Ne për titull? Absolutisht jo. Tani që jemi shkëputur disi nga Juventusi, duhet të mbrojmë vetëm vendin e dytë dhe kaq. Nëse lëmë pas ndjekëset tona si bardhezinjtë dhe Fiorentina, mund të quhemi shumë të lumtur nga kampionati ynë”. Matjë Flamini vazhdon të bindë në fushë, pas rikuperimit të dëmtimit, por ai që magjeps është Rikardo Kaka. “Riki është rikthyer ai i pari pas një mungesë dy mujore. Paraqitjet tona të fundit tregojnë shumë qartë që nuk mund të bëjmë dot pa të. Sigurisht që mungesa e tij dy mujore na ka penalizuar shumë, dhe fatkeqësisht jemi një skuadër e varur nga loja e tij”. Ndërkohë Juventusi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2. Në fillim Del Piero më anë të një penalltie dhe më pas Kristiano Zaneti ka arritur të shënojë sërish duke iu afruar Rexhinës, e cila me anë të një goli të Halfredson kishte kaluar në avantazh. Skuadra e Ranierit, e cila tashmë është në vendin e tretë, është shtatë pikë në avantazh kundrejt Fiorentinës. Për zonën Uefa Lacio ka humbur një rast të shkëlqyer duke humbur në shtëpi kundër Atalantës. Edhe Kaljari ka barazuar me Sampin, dhe tashmë ka arritur Palermon me kuotën e 49 pikëve. Pas 7 ndeshjesh pa fitore Bolonja rigjen suksesin, e cila ka marrë tre pikë duke mundur Xhenoan me golat e shënuar nga Di Vaio dhe Terci. Torino ka fituar kundër Sienës me një gol të shënuar nga Bianki, ndërsa pas tyre edhe Leçe ka marrë tre pikët kundër Katanias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›