Ruli: “Ligji për mbrojtjen e konsumatorit duhet të zbatohet nga bizneset”
Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, i miratuar nga parlamenti në vitin 2008, është konsideruar ndër më të avancuarit në vendet e Ballkanit, jo vetëm për sa i përket shkallës së përafrimit me legjislacionin eruopian, por dhe për vendosjen e një kuadri të përshtatshëm institucional për zbatimin e tij. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë një takimi të organizuar dje nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me operatorët ekonomikë prodhues, theksoi se fakti që kemi një ligj nga më të avancuarit e bën sfidën tonë për të siguruar një zbatueshmëri të këtij ligji shumë herë më të lartë sesa vendet e rajonit, me të cilat krahasohemi. "Nëpërmjet këtij ligji konsumatorëve shqiptarë i sigurohen të drejta të njëjta me ato europiane, por sigurisht çfarë janë të drejta për konsumatorin, janë detyrime për biznesin , pra për prodhuesin apo importuesin",- deklaroi ministri Ruli. Sipas tij, "disa nga këto detyrime bazë janë ato më thjeshtat, të cilat është mirë të shpërndahen për konsumatorët e çfarëdo lloj moshe, të përfshihen në programet e mësimit në nivele të ndryshme shkollore, por mund të jenë edhe pjesë mesazhi, që media mund t'ia përcjellë konsumatorit shqiptar, siç janë treguesi i çmimit në ambalazhin e mallit, etiketimi në gjuhën shqipe, dhënia e faturës përkatëse, një detyrim më se i thjeshtë dhe i domosdoshëm në një tregti të institucionalizuar". Deri tani, METE ka miratuar rregulloret për tregtimin e lodrave për fëmijë, enëve të thjeshta nën presion, pajisjet nën presion, pajisjet elektrike të voltazhit të ulët, pajisjeve në lidhje me përputhshmërinë elektromagnetike, të makinerive, ashensorëve, pajisjeve dhe sistemeve mbrojtëse për përdorimin në ambientet potencialisht shpërthyese, pajisje për mbrojtje personale, pajisjeve me gaz, etj.
28 Prill 2009