E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Bamir e Sali, urime për ftesën e Bukureshtit

• Presidenti amerikan Xhorxh Bush i dërgon telegram urimi dy drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha.

Mesazhi i Bushit ndaj Berishës dhe Topit ka ardhur pas marrjes së ftesës për në NATO nga Samiti i Bukureshtit, si dhe për drekën e shtruar një ditë më pas në Kroaci. Në letrën drejtuar kreut të shtetit shqiptar, Presidenti Bush shprehu urimet dhe krenaria për marrjen e ftesës nga Shqipëria për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior.
"I dashur Bamir. Takimi me Ju në Rumani dhe më pas në Kroaci ishte një kënaqësi e veçantë. Ju falënderoj që erdhët, dëgjuat fjalimin tim dhe na nderuat me praninë Tuaj në drekë! Ndihem tepër krenar për Ju dhe popullin shqiptar që do të anëtarësoheni në NATO. Ju do të jeni partnerë të fuqishëm", thuhet në mesazhin urues të Presidentit amerikan. Ndërsa në mesazhin tjetër, Bush e cilëson kryeministrin shqiptar si një mik të tijin. Mesazhi për Kryeministrin u bë publik nga zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani. "I dashur Sali! Faleminderit Miku im që erdhe në Zagreb. Më shijoi dreka jonë dhe me të vërtetë u gëzova tek ju këqyrja Ju, pas pranimit tuaj në NATO, në Rumani.
Urime për punën Tuaj të mirë që keni bërë! Me urimet më të mira për Ju dhe familjen Tuaj", thuhet në mesazhin drejtuar Kryeministrit. Në Samitin e Bukureshtit dhe më pas në drekën e shtruar në vilën rezidenciale në Drekrizhje të Kroacisë, Bush mblodhi në një tryezë të përbashkët krerët e shtetit shqiptar, Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, si dhe drejtuesit e vendeve të Kroacisë dhe Maqedonisë. Në këtë takim miqësor është shprehur dhe një herë mbështetja amerikane për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në NATO. Disa ditë më parë, Presidenti i vendit, Bamir Topi, i dërgoi letër të gjithë homologëve të tij që janë anëtare të NATO-s, duke i falënderuar për ndihmën që i dhanë Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit. Gjithashtu një mesazh falënderimi Topi i dërgoi edhe shefit të Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Bush. Gjithashtu mësohet nga zyra e shtypit të Presidentit ,se edhe komiteti hebreo-amerikan, në një mesazh dërguar dje Topit, vlerëson se "pranimi i Shqipërisë në NATO do të përshpejtojë dhe përforcojë reformat demokratike të ndërmarra ndërkohë në rajonin e Ballkanit". "Në emër të 175.000 anëtarëve të Komitetit hebro-amerikan, dëshirojmë t'ju urojmë ju dhe gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për marrjen e ftesës zyrtare për t'u anëtarësuar në NATO. Ftesa zyrtare, e cila u bë në përfundim të Samitit të Bukureshtit, njeh arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike", thuhet në mesazhin e Komitetit hebreo-amerikan. Gjithashtu, kjo ftesë konsiderohet si "një dëshmi e rolit të rëndësishëm që Shqipëria po luan në promovimin e vlerave demokratike në Evropën Jugore si dhe e kontributeve të prekshme të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›