E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti merr fund, do të rikthehemi në Evropë

• Ka marrë fund konflikti mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe shtetit shqiptar. Ministri Pango ka firmosur statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53, i cili do të ngrijë deri në mble-dhjen e ardhshme të asamblesë së institucionit të futbollit.

JETMIR HALILAJ

 Pas takimit të djeshëm në Presidencë me ftesën e bërë nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, Duka e Pango kanë pohuar se konflikti mes institucioneve që ata përfaqësojnë ka marrë fund dhe se gjatë ditëve të ardhshme pritet edhe heqja e pezullimit të FIFA-s për Shqipërinë.
Duka
"Në këtë takim të iniciuar nga Presidenti Topi kemi zhvilluar një debat për zgjidhjen e krizës. Kemi arritur në një konsensus, i cili rezulton në firmosjen e statutit nga ministri.
Në të njëjtën kohë Federata Shqiptare e Futbollit do të pezullojë zbatimin e atij neni, për të cilin ministri ka pretendime deri në një kohë të dytë. Me kontributin e përbashkët dhe kryesisht të Presidentit, bëhet i mundur regjistrimi i statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjykatën e Tiranës dhe pas marrjes së këtij konfirmimi duke ia çuar edhe organizmave ndërkombëtare, në bazë edhe të premtimit të FIFA-s, do ta heqë këtë pezullim të përkohshëm të Shqipërisë. Do të ngrihet një grup pune i përbashkët nga FIFA, UEFA, MTKRS-ja dhe FSHF-ja për të zgjidhur të tërë çështjet e tjera të mbetura pezull", tha për mediat presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Pango
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, tha se ndodhi ajo çka ai kishte kërkuar që në 20 shkurt, pra heqja ose ngrirja e nenit 53, pasi sipas tij nuk kishte asnjë pengesë tjetër për firmosjen e statutit. "U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53. FIFA ra dakord po ashtu sikundër edhe presidenti, që ky nen është antiligjor, të ngrijë dhe statuti të jetë i firmosur, siç e kam firmosur, më 20 shkurt, me përjashtim të këtij neni 53. Pra, u pa e arsyeshme, ajo që kam thënë më 20 shkurt. Ky nen do të ngrijë deri në momentin kur një grup ekspertësh të vijnë në Tiranë dhe të bëjnë ndryshimet përkatëse, që do të arrijë të sjellë edhe heqjen e pezullimit. FIFA dhe UEFA ranë dakord që ky nen nuk është i përshtatshëm dhe besoj se tani gjithçka është e qartë". Dje ministri Pango ka firmosur statutin dhe sot pritet që drejtuesit e Federatës, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë të bëjnë regjistrimin e këtij statuti në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›