“Do zgjidhim problemet e egjiptianëve”
Komuniteti egjiptian në vendin tonë do të trajtohet me më shumë kujdes në qeverisjen socialiste. Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj, njëkohësisht deputete e kësaj partie në Elbasan, gjatë një takimi me shoqatën “Sfinksi” të këtij komuniteti ka premtuar ngritjen një komision me pjesëmarrje edhe nga egjiptianët e Shqipërisë që pasi të ketë zgjidhur hallet dhe problemet më urgjente t’i propozojë qeverisjes socialiste edhe zgjidhjen për to. “Do të ngremë një komision të përbërë nga përfaqësuesit tuaj dhe me specialistë nga më të mirët e vendit, të cilët do të punojnë për identifikimin e nevojave që ka ky komunitet dhe duke propozuar edhe zgjidhjet konkrete se si mund të zgjidhen sepse unë besoj se ju jeni më të mirët për të identifikuar problemet tuaja, por jeni më të mirët edhe për të propozuar zgjidhjet e mundshme të problemeve që ju mundojnë. Si forcë e majtë ne natyrisht që kemi në themel të drejtat e njeriut dhe për këtë arsye në programin tonë të ri ju do të keni një përfshirje shumë dinjitoze”, tha Leskaj.