Meta: Do ndërtojmë një flotë të re peshkimi, agresive e konkurruese
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë në Portin e Durrësit, ku takoi disa peshkatarë dhe u njoh nga afër me shqetësimet dhe problemet që kishin. I shoqëruar nga dy kandidatët për deputetë të qarkut të Durrësit, Lefter Koka dhe Artur Zheji, Meta zhvilloi një bashkëbisedim me peshkatarët për kushtet e vështira ku ata zhvillojnë peshkimin, për peshkarexhat të cilat janë në një gjendje të mjeruar, për mungesën e garancisë për tregtimin e peshkut etj. Duke parë situatën e mjerë dhe kushtet në të cilat operojnë peshkatarët, Meta shprehu angazhim për ndërtimin sa më shpejt të një porti peshkimi. “Ne angazhohemi për të ndërtuar sa më shpejt portin e ri të peshkimit, për të cilin me letra është rënë dakord prej kohësh, por që nuk është bërë faktikisht asgjë, për të ndërtuar njëkohësisht tek ai port të gjitha lehtësitë për riparimin e anijeve, që është një problem shumë i madh dhe i kushton shumë peshkatarëve. Po kështu ne angazhohemi për të ndërtuar një merkato ku të keni një tregtim sa më dinjitoz të peshkimit, si për tregun e brendshëm, ashtu dhe për eksportin”, garantoi Meta.