Çmimi energjisë, çekët: S’kemi aplikuar ende
Ende nuk është vendosur se sa do të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike në 2010. Në një takim me mediat, përfaqësuesit e kompanisë çeke “Cez” u shprehen se është ende herët për të folur për tarifat e energjisë elektrike. “Shqipëria ka një kuadër rregullator preciz. Nuk i përcaktojnë në tarifat e energjisë elektrike, por është Enti Rregullator i Energjisë. Së shpejti do nisim diskutimet me ERE-en për tarifat e energjisë në 2010”, u shpreh dje Martin Pachovsky, menaxheri rajonal i kompanisë “Cez”. Vetëm pak ditë më parë, kreu i ERE-s u shpreh se kompania çeke nuk ka propozuar ende tarifat e reja të energjisë elektrike. Por, sipas tij, rritja e çmimit të dritave vitin e ardhshëm do të jetë e përballueshme për konsumatorët. Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të kompanisë çekem gjatë këtyre viteve një ndër objektivat e tyre është edhe ulja e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike. Sipas tyre, Shqipëria ka nivelin më të lartë të humbjeve në Evropë. Përfaqësuesit e kompanisë çeke u shprehën dje se në pak javë drejtimi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë OSSH do të jetë në duar të një ekipi ekspertësh të ardhur nga Çekia. Emërtimi i një ekipi drejtues çek në një kompani jashtë Çekisë ndodh për herë të parë në historinë e zgjerimit dhe blerjeve të CEZ- it. “Kemi ngritur një grup ekspertësh çekë, nga më të mirët në disa fusha, të cilët do të jenë të aftë ta drejtojnë kompaninë sapo ne të jemi pronarë të saj. Ata, së bashku me stafin shqiptar, do të hartojnë planet e zhvillimit në të ardhmen e afërt e më tej”, u shprehën përfaqësuesit e kompanisë çeke. Ndërsa për sa i përket shkurtimeve apo jo të numrit të punonjësve, ata thanë se “Sa i takon numrit të punonjësve, ende është herët për të folur. Por ne do të bëjmë një organizim të ri të kompanisë. Çdo vendim që do të merret do të diskutohet me punonjësit dhe sindikatat dhe pastaj do t’i bëhet e ditur edhe publikut”. Kompania çeke “CEZ” u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së. CEZ është kompania e shtatë në Evropë sa i takon numrit të konsumatorëve dhe e para për normën e fitimit.