Pronarët, koalicion me Polin e Lirisë
ADI SHKEMBI
Ish-pronarët braktisin Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane për t’u bashkuar me Polin e Lirisë. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka nënshkruar dje marrëveshjen e bashkëpunimit paraelektoral me koalicionin e formuar nga PDK, LZHK dhe disa forca të tjera të vogla. Sipas paktit, disa prej përfaqësuesve të kësaj shoqate do të jenë në listat e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe do mbështeten edhe nga forcat e tjera të Polit.
Marrëveshja
Konkretisht, sipas marrëveshjes të firmosur dje nga përfaqësuesit e shoqatës dhe “Poli i Lirisë”, ish-pronarët do të kenë katër vende në krye të listës së LZHK-së. Kështu Agim Torro, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” do të jetë i pari në listën e LZHK-së në qarkun e Durrësit, por në të njëjtën kohë ai do të ketë edhe mbështetjen e të gjithë forcave politike, pjesë e këtij koalicioni. Gjithashtu, kjo shoqatë do të ketë përfaqësuesit e saj edhe në Qarkun e Tiranës (i dyti në listën e LZHK-së), në Qarkun e Vlorës (i pari në listën e LZHK-së) si dhe në Qarkun e Shkodrës (i dyti në listën e LZHK-së). Gjithashtu, burime pranë Polit të Lirisë bëjnë të ditur për gazetën se përveç këtyre katër vende, janë duke u negociuar edhe disa vende të tjera nga listat e forcave të tjera politike. Një tjetër pikë e marrëveshjes ka të bëjë me programin e Polit të Lirisë për sa i përket çështjes së pronave. Poli ka pranuar që të unifikojë qëndrimin me shoqatën “Pronësi me Drejtësi” për sa i përket kësaj çështje dhe qëndrimi i shoqatës lidhur me kthimin dhe kompensimin e pronave do të jetë pjesë e programit të këtij koalicioni.
Pronat
Në deklaratën për shtyp të ditës së djeshme thuhet se gjatë këtyre viteve me pronat vetëm është abuzuar dhe janë grabitur. “Dy partitë e vjetra që kanë qeverisur në këto 18 vjet, por edhe parti të tjera periferike që janë përpjekur ta paraqesin veten si përfaqësuese të ish-pronarëve, kanë dështuar me zgjidhjen legjitime të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Qëndrimi i tyre ndaj pronarëve të ligjshëm ka qenë thjesht demagogji dhe mashtrim”, thuhet në deklaratën për shtyp. “Të dominuara nga mentaliteti i vjetër komunist i shtetëzimit dhe përvetësimit të pronës së tjetrit, këto parti dhe qeverisjet e krijuara prej tyre kanë vazhduar abuzimet me pronat, kanë vazhduar përvetësimin e këtyre pronave në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që nuk kanë mbajtur asnjë premtim elektoral për zgjidhjen e çështjes së pronësisë”, vijon deklarata. Gjatë konferencës për shtyp kryetari i lëvizjes për zhvillim kombëtar Dashamir Shehi theksoi se çështja e pronave në 18 vitet e fundit është përdorur si demagogji nga partitë kryesore, janë regjistruar abuzime të mëdha, ndërsa pronarët janë lënë gjithnjë në harresë. “Kthimi dhe kompensimi i pronave është një prej prioriteteve të Polit të Lirisë”, theksoi Shehi. Ndërkohë sekretari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, theksoi se ky organizëm nuk do të jetë kurrë parti politike, por është i domosdoshëm përfaqësimi në Kuvend i shtresës së pronarëve.
Marrëveshja
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” do të jetë pjesë e “Polit të Lirisë në zgjedhjet e 28 qershorit”
Përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” do të kenë hapësirë në zgjedhje nga lista e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar
Përfaqësuesit e “Pronësi me drejtësi” do të jenë në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë e Shkodër.
Programi i shoqatës për çështjen e pronave do të jetë edhe program i Polit të Lirisë në zgjedhjet e 28 qershorit
Pronat, PR: PD rrëzoi nismat tona ligjore
Partia Republikane largon të gjitha përgjegjësitë nga vetja lidhur me çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi tha dje në një konferencë për shtyp se shumë prej nismave ligjore, të cilat janë propozuar prej ish-pronarëve dhe janë mbrojtur në Parlament nga PR-ja, janë rrëzuar nga demokratët. “Për të demonstruar bindjen dhe mbështetjen e saj ndaj shoqatës, Partia Republikane ka propozuar në parlament dhe projekt-ligje të formuluar nga vetë shoqata, por në çdo rast përgjigja e shumicës në Parlament ka qenë një votë kundër. Partia Republikane ka ndërmarrë rreth 17 nisma për ndryshime dhe përmirësime të legjislacionit të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe shumica e pronarëve legjitim është e ndërgjegjshme për përmirësimet, që kanë sjellë këto nisma”, u shpreh Madhi. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi edhe qëndrimin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, i cili sipas Madhit niset nga interesa të ngushta politike. “Me gjithë vlerësimet që kemi për shoqatën “Pronësi me Drejtësi” duhet të pohojmë që kritikat e disa individëve të saj ndaj veprimtarisë së PR për çështjen e pronave inspirohen nga qëllime të interesit të tyre të ngushtë politik. Ne shprehim me bindje se deklaratat e tyre hera-herës dhe denigruese jo vetëm nuk i kontribuojnë procesit të mirëkuptimit politik, i cili garanton dhe suksesin, por dhe se nuk përfaqësojnë shumicën e gjykimit dhe interesit të pronarëve legjitim”, theksoi më tej deputeti republikan.