Hetimi, Rama i drejtohet Kushtetueses
Bashkia e Tiranës i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e komisionit parlamentar hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në kërkesën e formuluar nga zyra juridike e bashkisë, vihen në dukje elementët që, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën. Bashkia kërkon paraprakisht pezullimin e zbatimit të vendimit deri në marrjen e vendimit nga ana e kësaj gjykate, gjë që do të thotë se deri në vendimin final, komisioni hetimor parlamentar të mos e ushtrojë funksionin e tij. Në kërkesën e saj, bashkia argumenton se vendimi i Kuvendit bie ndesh me kartën e autonomisë së pushtetit vendor, sipas të cilës pushteti vendor, ashtu si edhe pushteti qendror është i zgjedhur me votën e popullit dhe pushtetet nuk mund të ushtrojnë të drejtën e kontrollit mbi njëri-tjetrin. Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga KRRT e Bashkisë Tiranë.