“Interisti” Vangjeli: Dua të jem kundër Milanit
Jorgis Memo
Është me fat, sepse ndryshe nga lojtarët e tjerë që janë të angazhuar me klubet, ai më 12 maj pritet të jetë përballë Milanit dhe Kakasë, por si një tifoz i thekur i Interit, pra jo një kundërshtar dosido. Është mbrojtësi i Kombëtares, Kristi Vangjeli, i cili me të marrë vesh lajmin se Shqipëria do të luajë një miqësore me kuqezinjtë italianë, është gëzuar së tepërmi. Thjesht fakti që në këtë miqësore do të jenë në fushë emra si Kaka, Bekham etj., mbrojtësin kuqezi e motivojnë jashtë mase, por ai ka edhe një plus tjetër. Me yjet ka dalë gjithnjë fitues dhe këtë e ka treguar ndaj Kristiano Ronaldos, Ibrahimoviçit apo holandezit Van Persi, kur ka luajtur me përfaqësuesen. “Nëse e mbuloj Kakanë, kam frikë se do më pëlqejë Milani dhe do të më kërkojë të më blejë. Por gjithsesi, unë nuk shkoj, pasi jam një interist i betuar”, është shprehur me shaka Vangjeli, në një bisedë për “Panorama”. 23-vjeçari që aktivizohet me Arisin tregohet i sinqertë, kur thotë: “Për çdo futbollist është diçka e veçantë kur luan ndaj ekipeve të mëdha si Milani, qoftë edhe në një miqësore. Pavarësisht se unë jam një tifoz i Interit (qesh), kuqezinjtë kanë një ekip të madh e të mbushur me yje. Eshtë kënaqësi të luash me emra si Kaka, Bekham, Ronaldinjo, Maldini, Inzagi, Pirlo, Sedorf etj”. I njohur për humorin e tij, futbollisti korçar shton: “Nuk kam ndonjë inat këtë herë, sepse atë ia ka nxjerrë Interi në kampionat Milanit”.
Dueli me yjet
Kristi Vangjeli kujton përballjet që ka pasur me disa nga yjet e futbollit evropian. “Ndeshjet me ekipin tonë kombëtar më kanë bërë që të mbuloj në fushë lojtarë të njohur. Kam disa eksperienca të paharrueshme, duke filluar që nga ndeshja ime e parë zyrtare kundër Holandës, e deri tek ajo me Portugalinë, ku më duhej të luaja i sforcuar kundër Kristiano Rolandos. Bëra gjithçka në atë ndeshje, edhe pse nuk isha në 100% të formës, sepse isha lënduar më parë në Hungari. Dhe, në një farë mënyre, sikur ua kam marrë dorën mbulimit të yjeve”, thotë Vangjeli, i cili pritet të jetë ndër të paktët titullarë të përfaqësueses sonë në fushë kundër Milanit. Kampionati grek ka mbaruar, kështu që ngjarja më e afërt për të mbetet miqësorja e 12 majit në Tiranë. “Ka edhe shumë ditë para miqësores, gjithsesi, e rëndësishme është që me Milanin të tregojmë vlerat më të mira të futbollit tonë, që tifozët të mos kënaqen vetëm nga spektakli që mund të dhurojë ekipi italian”, thekson mbrojtësi kuqezi.
E ardhmja e tij
Pas një sezoni me hope tek Arisi, ku pjesën e parë të sezonit u la në stol dhe më pas rifitoi vendin e titullarit, mbrojtësi kuqezi ende nuk është i sigurt për të ardhmen, edhe pse sipas tij në javët e ardhshme gjithçka do të zgjidhet. “Nëse klubi do të më plotësojë ato kërkesa që kam, atëherë do të qëndroj, në të kundërt do largohem. Kam shumë vite tek Arisi dhe natyrisht që do të pres një herë se çfarë oferte do të më bëjnë. Presidenti i klubit, menjëherë pas përfundimit të kampionatit më ka telefonuar dhe këto ditë besoj se do të takohem me të”, tregon Vangjeli, që në ndeshjet e fundit ka qenë lojtari më i mirë për ekipin selanikas. Gjithsesi, përtej besnikërisë ndaj Arisit, korçari nuk e fsheh se kërkon një eksperiencë në një klub më të madh, por këtë ia lë kohës dhe mundësive që do të ketë për të zgjedhur.