E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Barazi në vendimmarrje dhe liri ekonomike për gratë

 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi dje pasdite një takim të zgjeruar me gratë në Tiranë ku prezantoi dhe pjesë të programit qeverisës të PS që ndikon në rolin e gruas. “Vendosja e grave në kushte të barabarta me burrat, për t’u dhënë mundësi që të marrin pjesë në jetën politike, është vetëm njëri nga aspektet, - tha Rama, - ndaj ne nuk duhet të pranojmë që ky është i vetmi aspekt. Se, edhe sikur të shkojmë në një barazi të plotë të pjesëmarrjes së grave në Parlament, do të ishte e pamjaftueshme nëse nuk do shtrihej kjo gjë në të gjitha nivelet e pushtetit në Shqipëri. Nuk do ishte e mjaftueshme, në rast se nuk do hiqeshin pengesat diskriminuese që hasin vajzat e gratë kur duan të japin kontribut në administratën shtetërore të këtij vendi, apo në rast se nuk krijohen kushte të reja për gratë dhe vajzat me talent sipërmarrës”. Në këtë takim merrnin pjesë personalitete gra të Internacionales socialiste, por dhe nga partitë laburiste evropiane. Rama solli në vëmendje fenomene të rënda të shoqërisë shqiptare siç është dhuna në familje ku gruaja është vazhdimisht viktimë e saj. “Pjesëmarrja më e lartë, e grave në Parlament pas 28 qershorit do të tregojë me prova se sa i mangët ka qenë Parlamenti deri më sot dhe se sa më shumë akoma do të duhet ta shtojmë pjesëmarrjen e grave për të pasur Parlamentin që na duhet për të bërë ligjet e duhura, e për të mundësuar gjithë ato që deri më sot nuk janë bërë - jo se s’bëhen dot, por sepse ka munguar vullneti për t’i bërë”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›