Meta: Do të hapim 100 mijë vende punë
Dy shtyllat kryesore të programit qeverisës të LSI-së janë punësimi dhe dinjiteti i qytetarëve shqiptarë. Kështu tha Ilir Meta në qytetin e Korçës, ku çeli zyrtarisht fushatën elektorale dhe prezantoi kandidatët për garën e 28 qershorit. Në krye të listës në Korçë qëndron Petrit Vasili, ndërkohë që sipas LSI kjo forcë politike është e sigurt në fitoren e saj, nisur nga dështimet e dy forcave të mëdha politike. Përkrah Metës në këtë fushatë ka qenë Ligoraq Karamelo, sipas të cilit koalicioni me LSI do të thyejë monopolet e dy partive të mëdha. Ilir Meta e deklaroi të hapur fushatën elektorale dhe garën drejt 28 qershorit për Parlamentin. "Kjo forcë politike do të vijë në pushtet pasi ka strategji të qarta për ta nxjerrë vendin nga kriza. Sot Shqipëria është në krizë. Jam këtu për t‘ju thënë se ne do të fitojmë, sepse sot shqiptarët po përjetojnë varfërinë në rritje dhe kosto jetese të papërballueshme, sepse sot shqiptarët janë më të papunë se kurrë dhe më të pashpresë", tha Meta. Në fjalën e tij para mbështetësve nga gjithë Qarku i Korçës, Meta u shpreh se forca politike që përfaqëson ka strategji dhe programe konkrete veprimi. "Ne kemi një plan konkret punësimi edhe për të mbrojtur qytetarët nga varfëria. Për të gjithë fermerët garantoj se qeverisja jonë nuk do të lejojë që patatet të kalben, që mollët të kalben dhe gruri të mbetet pa shitur, sepse kemi një plan konkret për bujqësinë dhe rritjen e prodhimit. Ne do të hapim mundësi punësimi dhe mirëqenie. Ne kemi një program të qartë qeverisës për të hapur 100 mijë vende pune", nënvizoi Meta. Sipas tij, edhe Sali Berisha ju premtoi shqiptarëve se do të hapte 300 mijë vende pune, por pasi u mendua mirë, tha se do të të hapë 160 mijë, ndërsa më vonë do të thotë vetëm 10.