Meta: Do të përmirësojmë shërbimin shëndetësor
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, premtoi dje pajisjen me mjete teknologjike të larta për të përmirësuar shërbimin në spitale. Gjatë një vizite në spitalin rajonal të Durrësit, kreu i LSI-së bashkëbisedoi me mjekë dhe pacientë, të cilët ndodhen të shtruar në këtë spital. Meta dëgjoi nga afër ankesat e të sëmurëve për ilaçet, të cilat janë jo vetëm të shtrenjta, por që jo të gjitha i ofron spitali. Objekt i bisedave ishin edhe vështirësitë që ndeshin bluzat e bardha për shkak të mungesës së pajisjeve tepër të domosdoshme për diagnostikimin e pacientëve. Duke pohuar se ka ende shumë kërkesa për të ofruar shërbimet e nevojshme dhe të shpejta në këtë spital modern, Meta shprehu angazhimin e LSI-së që spitali i Durrësit të pajiset me aparatura moderne të domosdoshme, siç është skaneri, i cili mungon apo rezonanca magnetike. Të vjen keq, u shpreh Meta, që edhe pas 8 vitesh të gjitha spitalet shtetërore në vend kanë vetëm një rezonancë magnetike. Sipas tij, diagnostikimi i shpejtë, i saktë dhe i thelluar është i domosdoshëm si për të parandaluar sëmundje të ndryshme, si dhe për të realizuar ndërhyrje të shpejta në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Më parë, kreu i LSI-së u ndal në Petrelë ku foli për bujqësinë. Meta garantoi se LSI ka programin më të qartë për punësimin dhe për bujqësinë. "Sepse punësimi është shqetësimi kryesor këtu në Shqipëri, u shpreh ai, duke shtuar se lajmet flasin çdo ditë për fabrika të bizneseve të fasonëve që prodhojnë veshje, këpucë, çanta etj., që mbyllen dhe mijëra vetë mbesin pa punë", deklaroi Meta.