PS, dyshime për pasaportat e vjetra
Mazhoranca dhe opozita ende nuk po gjejnë një emërues të përbashkët për t‘i hapur dritën jeshile komisionit të posaçëm për zbatimin e Kodit Zgjedhor. Konkretisht në lidhje me kartat e identitetit, regjistrin themeltar elektronik dhe listat e zgjedhësve. PD-ja dhe PS-ja vazhdojnë ta hedhin "topin" në fushën e njëra-tjetrës duke mos marrë asnjëra përsipër fajin e zvarritjes së punës së këtij komisioni. Deputetët e PD-së, anëtarë të këtij komisioni theksojnë se është Partia Socialiste, shkaktarja e pezullimit të punës së komisionit, pasi nuk marrin pjesë në mbledhjet e tij. Pretendim ky i cili kundërshtohet menjëherë nga përfaqësuesit e opozitës. Zëvendëskryetari i këtij komisioni, deputeti i PS-së, Kastriot Islami, deklaroi dje për "Shqip" se nuk është e vërtetë që opozita po bllokon punën. Sipas tij është qeveria ajo që po paralizon komisionin e posaçëm për zgjedhjet, pasi në mënyrë të qëllimshme nuk paraqet në tryezën e punës materialet e kërkuara prej tij. Ne, tha Islami, i kemi dërguar dy ditë më parë një letër të veçantë qeverisë ku kërkojmë informacion të plotë dhe të detajuar për numrin e pasaportave të vjetra që qeveria po shpërndan. Ky është një veprim skandaloz nga ana e qeverisë, tha zëvendëskryetari i komisionit, sepse publikisht Kryeministri dhe ministrat e tij deklarojnë se po shpërndajnë pasaporta biometrike, ndërkohë që po shpërndahen ende pasaporta të vjetra. Për këtë, insistoi Islami, kemi kërkuar vazhdimisht informacion si komision, por kërkesa jonë ka rënë në vesh të shurdhër ndaj jemi detyruar t‘i nisim një letër të posaçme Këshillit të Ministrave. Duke vijuar më tej argumentet e tij, se nuk është opozita ajo që po bllokon punën e komisionit, por mazhoranca, Islami theksoi, se në komision është rënë dakord mes PD-së dhe PS-së që zyra qendrore e Gjendjes Civile dhe Ministria e Brendshme, çdo të martë të paraqisnin në komision informacionet e javës në lidhje me pajisjen e shtetasve me karta identiteti, numrin e tyre dhe probleme të tjera që haseshin gjatë punës. Kjo gjë, saktëson ai, nuk ka ndodhur. As zyra e qendrore e gjendjeve civile dhe as Ministria e Brendshme nuk e kanë zbatuar këtë vendim të marrë nga komisioni. Informacioni më i fundit, tha Islami, që ka mbërritur në komision ka qenë ai i datës 26 prill dhe kjo është një shkresë në dy fletë, duke lënë shumë për të dëshiruar për seriozitetin e institucioneve shtetërore. Gjithashtu, Islami tha se opozita nuk mund të shkojë në mbledhjet e komisioneve kur mungon në mënyrë të plotë serioziteti i punës së tij. "Nuk mund të shkojmë në një mbledhje, për të parë sesi tallet me komision zëvendësministri i Brendshëm apo drejtori i gjendjeve civile", vlerësoi Islami. Komisioni i posaçëm për zgjedhjet ka pak javë që është ngritur dhe drejtohet nga mazhoranca. Qëllimi i tij ishte kontrolli mbi procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit dhe regjistrit themeltar për verifikimin e listave të zgjedhësve. Deri më tani janë zhvilluar vetëm dy mbledhje duke mos shënuar asgjë të re ndryshe nga komisionet e tjera. Tashmë kanë mbetur vetëm pak ditë nga çelja e fushatës elektorale dhe data e zgjedhjeve, ndërkohë që ende nuk janë pajisur me karta të gjithë ata shtetas, të cilët nuk kanë pasaporta.