E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, takime për evidentimin e kandidatëve të mundshëm

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pati dje një ditë të ngjeshur me takime me drejtues në qarqe, duke vijuar të marrë mendime e kontakte për kandidatët e mundshëm për deputetë. Kreu i PS-së ka zhvilluar biseda me drejtuesit e PS-së në Qarkun e Lezhës dhe të Elbasanit. Në orët e mbrëmjes janë zhvilluar edhe takime të shumta me strukturat e PS-së së Tiranës. Ditët në vijim pritet që të jenë po kaq intensive për kreun e PS-së, takime që do të konkludohen me përpilimin e një liste e cila së pari duhet të kalojë për miratimin në Kryesi. Kupola rozë duhet të thërrasë Asamblenë Kombëtare dhe hapi i fundit është Kongresi Elektoral. Sakaq, ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor, lista e kandidatëve për deputetë duhet të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve ose në datën 18 maj. Kreu socialist ka disa ditë që ka nisur kontaktet me deputetët, anëtarët e Kryesisë, drejtuesit e PS-së në qarqe të cilët më parë kanë bërë evidentimin e emrave apo figurave të njohura në elektorat, që mund rezultojnë të jenë pjesë e ekipit garues të selisë rozë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, është treguar i rezervuar për të zbardhur emra konkretë. I pyetur nga gazetarët, ai u shpreh se lista e kandidatëve do të shpallet në momentin e duhur. Sa u përket kritereve në parim, kandidatët duhet të kenë mbaruar shkollën e lartë, duhet të gëzojnë integritet moral dhe politik, të gëzojë popullaritet në zonë, të tërheqin sa më të rinj etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›