Meta: Duhet evituar gjuha e konfliktualitetit

Kreu i LSI: Do hyjmë në zgjedhje edhe me Kodin e vjetër. Shpresoj që negociatat të japin sukses
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kërkon nga PD dhe PS që të evitojnë gjuhën e konfliktualitetit, e cila u pa edhe në seancën e fundit parlamentare, dhe ftoi palët për një bashkëpunim më të ngushtë për zgjidhjen e krizës politike.
"Duhet evituar gjuha e konfliktualitetit, shpresoj që bisedimet që kanë nisur mes përfaqësuesve të dy grupeve më të mëdha parlamentare, të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të kemi një rezultat serioz", - u shpreh Meta. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se, pavarësisht pakënaqësive ndaj Kodit Zgjedhor, kjo forcë do të futet në zgjedhjet lokale edhe me kodin aktual.
"LSI asnjëherë nuk ka bojkotuar dhe nuk mund të bojkotojë as zgjedhjet dhe as rregullat e lojës dhe kur i vendosin të tjerët, jo më sot kur të gjithë e kanë bërë të qartë që duhet një reformë gjithëpërfshirëse", tha ai. Sipas zëvendëskryeministrit Meta, është i domosdoshëm realizimi i shpejtë i reformës zgjedhore, i cili duhet të respektojë rregullat e demokracisë.
"Mosmarrëveshjet që kanë rezultuar pas zgjedhjeve për shkak të pakënaqësive i ka vuajtur dhe i vuan e gjithë shoqëria shqiptare. Ndaj, është koha për një proces sa më gjithëpërfshirës, është koha që dhe ky aksion qytetar të luajë një rol sa më esencial për të krijuar gjithë klimën e domosdoshme që të kemi një reformë, e cila diskuton çdo opsion dhe LSI-ja është e hapur pa asnjë lloj paragjykimi", - theksoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.