PS: Shkurtimi i buxhetit u bë pa analizë

Seseri argumenton për pasojat që vijnë nga ndryshimi i buxhetit: Goditen investimet publike dhe punësimin
TIRANË - Një ditë pas votimit të ndryshimeve në buxhetin e qeverisë, Partia Socialiste vlerësoi dje se shkurtimet në buxhet do të sjellin papunësi, një fshat të varfër dhe frenim të biznesit.
Përmes një komunikimi për mediat, deputetja socialiste, Rudina Seseri, deklaroi se "vendet e tjera kanë mbi 18 muaj që kanë ndërmarrë reforma për të dalë nga recesioni, ndërsa qeveria shqiptare është e fundit që kujtohet për krizën".
"Ministri i Piramidave, përgjegjësi kryesor i mosbalancimit të buxhetit, vazhdon të fshehë të vërtetën me deklarata si te kongreseve të partisë, kur flitej për bollëk të madh prodhimesh bujqësore, kur njerëzit nuk kishin bukë", kritikoi qëndrimin e Qeverisë, Rudina Seseri.
Sipas saj, shkurtimi i shpenzimeve godet rëndë investimet publike dhe punësimin, sepse është bërë në mënyrë joprofesionale, pa metoda optimizmi, gjë që do të japë efektin e kundërt në ekonomi. Ajo theksoi se thelbi i problemit është se qeveria asnjëherë nuk ka ditur të bëjë dallim midis shpenzimit dhe investimit, duke vënë shenjën e barazimit mes tyre.
Më tej, deputetja socialiste vlerësoi se në ekonomitë e zhvilluara jo autoritare, investimet bazohen në projekte rigoroze dhe përzgjidhen me kritere të rrepta ekonomiko-socialo-mjedisore, që marrin në konsideratë koston, kthimin e kapitalit të investuar, fitimin monetar dhe krijimin e të mirave publike.
"Shkurtime në buxhet janë bërë pa asnjë analizë të realizimit të investimeve nga Ministritë. Është e pafalshme që, në 6-mujorin e parë, Ministria e Bujqësisë realizoi vetëm 6 % të investimeve, Ministria e Arsimit vetëm 7 % dhe Ministria e Shëndetësisë vetëm 19 %. Janë pikërisht këto ministri që u goditën më shumë nga ndryshimet në buxhet.
Duke i shkurtuar fondet këtyre sektorëve prioritare, qeveria godet rëndë përsëri fshatin, bën hapa mbrapa në zhvillimin e arsimit dhe përkeqëson shërbimin shëndetësor", argumentoi Seseri.
Sipas saj, ndryshimet e bëra në buxhetit nuk zbusin krizën, por e thellojnë atë, sepse janë ndryshime që nuk shoqërohen me politika që lehtësojnë biznesin, nuk favorizojnë prodhimin, nuk nxisin punësimin, nuk mbështesin familjet e varfra të përballojnë shtrenjtimin e jetesës. D. Dedej