E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla: Si mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor

Krerët e partive të vogla dhe shoqëria civile diskutojnë mbi mënyrat e administrimit të zgjedhjeve dhe rritjes së transparencës


TIRANË - Partitë e vogla dhe shoqëria civile hedhin propozimet e para për reformën zgjedhore që pritet të ndodhë përpara zgjedhjeve lokale të vitit tjetër.


Përfaqësuesit e partive të vogla dhe të 12 organizatave joqeveritare kërkojnë prej dy partive të mëdha nisjen e reformës zgjedhore, duke propozuar edhe ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar në mënyrë që të mos eliminohen në zgjedhjet e 2011-ës.


Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga "Aksioni qytetar për reformën zgjedhore", ku merrnin pjesë përfaqësues të forcave politike, shoqërisë civile dhe të shoqatave të ndryshme në vend, u kërkua që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos lihet për në momentin e fundit nga partitë e mëdha, ashtu siç u ndryshua Kodi Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare.


Ndonëse debati politik ka ngecur tek zgjidhja e krizës dhe ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e vitit të kaluar, partitë e vogla i janë rikthyer debatit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pika e përbashkët, në të cilën bien dakord përfaqësuesit e partive të vogla, është ndryshimi i sistemit elektoral.


Sistemi më i mirë, sipas tyre, është ai proporcional kombëtar, pasi do të mundësonte një përfaqësim më të gjerë në Parlament. Ndërsa shoqëria civile për të rritur besueshmërinë e zgjedhjeve kërkon ndryshimin e mënyrës së votimit.


Kërkesa parësore e tyre është votimi elektronik, një ide e cila është hedhur edhe nga demokratët, por që nuk ka gjetur mbështetjen e socialistëve, pasi këta të fundit kërkojnë më parë zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.


Sipas "Aksionit qytetar për reformën zgjedhore" për të përmirësuar zgjedhjet e ardhshme zgjedhore është e nevojshme që të ndryshohet edhe mënyra e numërimit të votave duke propozuar numërimin nëpërmjet teknikës elektronike-skanimi i votës.


Probleme në zgjedhjet e kaluara për "Aksionin qytetar për reformën zgjedhore" ka pasur edhe në mënyrën e administrimit të zgjedhjeve.


Një ndër rregullimet që propozojnë 12 organizatat joqeveritare është se partitë politike nuk duhet të lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit më të ulët.


Por, ndryshime kërkohen edhe në administratën zgjedhore, ku kërkohet fillimi i procesit të krijimit të administratës zgjedhore me nëpunës të shërbimit civil dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve.


Akuzat e opozitës drejtuar mazhorancës për presione ndaj administratës shtetërore, ka gjetur pasqyrim edhe në rekomandimet që shoqëria civile i propozon për përmirësim komisionit të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.


Ndryshime kërkohen edhe në ankimimet zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor aktual, Kolegji Zgjedhor caktohet me short dhe katër partitë më të mëdha parlamentare kanë të drejtë të kundërshtojnë secila vetëm një gjyqtar të vetëm.


Ndërkohë, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, deklaroi se puna për realizimin e reformës zgjedhore duhet të fillojë sa më shpejt. "Le të gjejnë fjalën forcat politike për të krijuar kushtet optimale për zhvillimin e kësaj reforme. Ne si shoqëri civile do t'i ndodhemi në krah.


Objektivi ynë është që në kuadër të aksionit qytetar të prodhojmë rekomandimin dhe informacionin për komisionin e ardhshëm të reformës zgjedhore që vetë kjo reformë të realizohet si një proces gjithëpërfshirës", theksoi Kume.


KËRKESA
"Reforma të nisë sa më shpejt"


Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi se procesi i reformës zgjedhore duhet të shkojë paralelisht me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, esenciale për një reformë zgjedhore të mirëfilltë. "Procesi i reformës zgjedhore duhet të shkojë paralelisht me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Nuk duhet harruar që pa transparencën e procesit zgjedhor ne nuk do të kemi një reformë zgjedhore të plotë dhe të saktë. Njëkohësisht duhet të marrim të gjitha masat që reforma zgjedhore që do të bëjmë të gjithë së bashku, të jetë vërtet gjithëpërfshirëse", theksoi Milo.


Ndërsa kreu i LDK-së, Nikoll Lesi, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës propozoi një sistem proporcional kombëtar, pasi, sipas tij, partitë e vogla duhet të ekzistojnë për të balancuar dy të mëdhatë. "Cila parti arrin 3 për qind të rezultatit të ketë përfaqësuesin e vet sipas formulës së Kodit Zgjedhor dhe dënim 10-vjeçar për komisionerin që vjedh votat", sqaroi Lesi.


Paskal Milo


Kjo reformë duhet të prekë thelbin e kërkesave që ne kemi pasur problem. Besoj e mbani mend zoti Meta se si kemi qenë bashkë në një llogore kur ishim kundër Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve kushtetuese që dhanë zgjedhjet e kontestuara të 28 qershorit. Ne nuk duhet të harrojmë zgjedhjet e kaluara.


Nëse ne bëjmë sikur s'ka ndodhur gjë në zgjedhjet e 28 qershorit, ne realisht nuk do të kontribuojmë për përgatitjen e reformës zgjedhore për t'i thënë ndal atyre problemeve.


Duhet të ecim para me transparencën e zgjedhjeve. Nuk duhet të harrojmë se pa transparencën e 28 qershorit, ne nuk do të kemi ndonjëherë reformë zgjedhore të drejtë dhe të saktë. Nuk duhet të heqim dorë pavarësisht partive politike.


Nikoll Lesi


"A mundet zoti Milo ta bindim opozitën kryesore që të bëjmë 84 vota, e të ndryshojë Kodi? Dhjetë vjet burg komisioneri që rezulton qoftë dhe një votë e vjedhur nga hapja e kutisë. Kërkoi që të mos zhduken partitë e vogla, që të balancojnë shumë herë dy të mëdhenjtë, ose tre të mëdhenjtë. Të jetë sistem proporcional kombëtar, rajonal ia pamë hajrin dhe rezultatin".

Arjan Madhi


PR e mirëpriti tryezën, sepse vlerëson se nxit procesin e reformës së zgjedhjeve, e cila është e vonuar. Do të isha dakord nëse do të bëhej një gërshetim midis proporcionalitetit dhe zgjedhjes së personalizuar.


PDK


"Zgjedhjet kanë qenë të përgatitura për t'u manipuluar. Në të gjitha zgjedhjet ka pasur përpjekje nga të dyja forcat. Gjykoj që dy partitë e mëdha nuk duhet të jenë pjesëmarrëse në tryezë. Janë shkaktarët e vjedhjes së dy zgjedhjeve të fundit. Nuk është Kodi që ka sjellë manipulim, por gjithë çështja është te vullneti për të manipuluar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›