E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Duhet konsensus për Gjykatën e Lartë

Në një prononcim për mediet, kreu i LSI-së, u shpreh se nevojitet konsensus dhe vullnet që edhe çështjet e mbetura, si miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe miratimi i rregullores së procedurave parlamentare, të zgjidhen në ditët në vazhdim që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Brukseli.

“Pjesa më e madhe e 12 prioriteteve tashmë janë realizuar apo plotësuar pavarësisht se mbeten ende disa çështje të rëndësishme sikurse është miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, miratimi i rregullores së procedurave parlamentare. Unë shpresoj dhe besoj se në ditët që kanë mbetur këto çështje me konsensus dhe me vullnet të zgjidhen, të tejkalohen, dhe komisioni të ketë mundësinë që të bëjë një propozim sa më pozitiv për Shqipërinë. Komisioneri Fule shprehu faktin se natyrisht politikat e zgjerimit zhvillohen në një terren dhe në një kontekst më të vështirë se në të kaluarën për shkak të sfidave të reja me të cilat ndeshet Evropa por absolutisht ai u shpreh inkurajues për vazhdimin e zgjerimit, natyrisht bazuar në meritat individuale të çdo vendi”, theksoi ai.

I pyetur për një takim me Ramën, Meta tha se ndodhej atje për t’u takuar me të gjithë liderët e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste Evropiane, me ftesë të liderëve të PSE-së. Gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur mes socialistëve evropianë për Ballkanin z. Meta deklaroi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. /Start/

                                                                                             2012-09-29 16:06
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›