Meta: E mundshme një urë mbi greminën mes PS e LSI

Meta ndalet në rrëfimin e tij të gjatë në shumë pika kyçe, që shkaktojnë zhurmë në mjediset e politikës. Kreu i LSI-së thotë se ishte vija parimore dhe politike që ka ndjekur lidershipi socialist ajo që hapi një greminë të thellë midis dy partive. Greminë, mbi të cilën, në këndvështrimin e Metës, mund të vendoset një urë vetëm nëse Partia Socialiste do të kthehet në kursin e kthimit të vendit në normalitet kushtetues e ligjor, nëse ajo nuk do të tentojë të vërë dorë mbi votën e shqiptarëve.
Një tjetër kusht është që në politikat e saj duhet të ketë në themel cilësinë e jetës e jo pasurimin e një kaste të re politikanësh.
“Jam i bindur në fitoren e së majtës së progresistëve të vërtetë në zgjedhjet e 2009-ës. Janë disa arsye. Së pari, sepse shikoj se kauza për të cilën jemi përkushtuar është kauza e shumicës së shqiptarëve, të cilët nuk mund t‘i mashtrosh më me demagogji e retorikë fasadash. Ata janë në gjendje të kuptojnë dhe vendosin vetë se tashmë ka dy fronte në këtë vend: një koalicion i së keqes, Berisha-Rama, që duan të zotërojnë edhe lirinë e shqiptarëve, pronat e tyre, mirëqenien e tyre”, tha Meta.