Rama, Meta e Gjinushi, bashkë në Madrid

Rama sot në mëngjes niset nga Athina drejt Madridit teksa Meta u nis një ditë më parë. Aktiviteti, që mbahet në Madrid, në ditën e parë ka të programuar hapjen dhe prezantimin e manifestit të PSE-së. Pjesë e dytë e diskutimeve është rreth ditës ndërkombëtare të të sëmurëve me SIDA dhe diskutimet rreth politikave ndërkombëtare.
Në ditën e dytë parashikohet takime të ndryshme mes liderëve evropianë, më pas një tavolinë e rrumbullakët me debate për krizën financiare. Vetëm pak ditë më parë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi publikisht se kreu i grupit parlamentar socialist, në Parlamentin Evropian, Martin Schultz, kishte negociuar për një takim Rama-Meta. Ish-kryeministri deklaroi se kishte shkuar në takim, por diçka të tillë nuk e kishte bërë lideri i socialistëve.
Para zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, eurosocialistët ndikuan në afrimin mes dy kryetarëve të partive më të mëdha në opozitë. Shenjë për këtë ishte edhe prezenca në kongresin socialist e liderit të së majtës greke, Papandreu.