Tryeza politike, PS nuk tërhiqet nga kutitë
Ndërsa pritet që të mblidhet një tryezë politike me përfaqësuesit më të lartë të të dyja palëve, këto të fundit nuk shprehen ende dakord ndonëse kanë pranuar të dyja një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Evropës. Deputeti i zgjedhur i PS-së, Namik Dokle, deklaroi dje nga selia e PS-së se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për të bërë një hetim deri në hapjen e kutive të votimit. Sipas Dokles, KiE kërkoi hetim të zgjedhjeve, ndërsa akuzoi mazhorancën se po ngre barriera ndaj rezolutës. “Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje. Asambleja do të dërgojë komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën”, - tha Dokle.
Ndërkaq ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha në konferencën për shtyp se hetimi parlamentar mbi zgjedhjet do të kryhet duke mbrojtur ligjet dhe Kushtetutën e vendit. “Ndërkohë ju e shihni qartë që ata vetëm i lexojnë mbrapsht rezolutat, duke mos pasur asnjë vullnet për dialog, duke qene se nuk pranojnë një dialog që respekton Kushtetutën e vendit, çka është esenciale dhe e panegociueshme, por njëkohësisht vendosin kushte, të cilat e zhvleftësojnë dialogun ende pa filluar. Është me të vërtetë për të ardhur keq”, - deklaroi Meta, i cili foli për eksperiencën e LSI-së në vitin 2005 me komisionin hetimor parlamentar. “Ju e dini që të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe ne në vitin 2005, madje u formua edhe një komision hetimor parlamentar me kërkesën tonë dhe kemi pasur edhe fakte e prova për mospërputhje të rezultateve sipas zonave zgjedhore. Dhe PD e PS pikërisht në bazë të këtij arsyetimi, nuk pranuan që të hapej qoftë edhe një kuti, sepse do të sfidohej vendimi i gjykatave”, - tha Meta. Nga ana e tij, Namik Dokle u shpreh se PS do të vijojë betejën e saj në rrugë ligjore, sipas tij, në hapjen e kutive. “Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që është kthyer në një kancer për demokracinë”, - tha Dokle. Për numrin 2 të qeverisë, është për të ardhur keq me qëndrimet që mban opozita. “Është për të ardhur keq me qëndrimin jo të sinqertë të Partisë Socialiste. Së pari Strasburgu ishte një dështim i madh për ta dhe evidentoi edhe politikën e tyre destruktive në dëm të vendit, sikurse ishte kërkesa e tyre për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila nuk u mor nën konsideratë për arsye se në rast se Shqipëria ka një problem, i cili është mosfunksionimi parlamentar i opozitës, ky është një problem i shkaktuar nga vetë lidershipi i saj”, - deklaroi Meta. I pyetur nga mediat se ç’do të ndodhë me mandatet e PS-së nëse opozita nuk vjen në Kuvend, Meta tha se “për sa i takon çështjes së mandateve, absolutisht që do zbatohet Kushtetuta”.