Meta: Ende herët të flitet për presidentin e ardhshëm
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka shmangur sot komentet për vetëkandidimin e Fatos Nanos për kreun e shtetit shqiptar duke shtuar se LSI-ja do të shprehet në kohën e duhur. Në një konferencë për shtyp, kreu i LSI-së Meta ka theksuar se ende është shumë herët për t`u shprehur në lidhje me presidentin e ardhshëm ndërsa ka shtuar se vendimi i LSI-së do të jetë pas konsultimeve me Partinë Demokratike.
“Ende jemi shumë herët dhe natyrisht është një president tjetër në mandatin e tij. LSI-ja do të mbajë qëndrimin e saj në momentin e duhur dhe patjetër do të konsultohet me PD-në në përputhje me marrëveshjen mes koalicionit” ka theksuar Meta.
I pyetur në lidhje nëse LSI-ja do të vendosë kushte për sistemin zgjedhor, Meta theksoi se LSI-ja nuk do të vërë kushte por do të insistojë në ndryshimin e sistemit elektoral “Qëndrimi ynë për reformën zgjedhore është parimor. Modeli spanjoll i reformës nuk është i përshtatshëm” ka theksuar më tej Meta.
Meta ka përshëndetur edhe qytetarët shqiptarë me rastin e 1-vjetorit të hyrjes së fuqi të vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. “Sot është përvjetori i parë nga liberalizimi i vizave dhe ne jemi krenar për sjelljen e qytetarëve shqiptar të cilët respektuan të gjitha rregullat” ka theksuar Meta.