Meta: Ftoj shqiptarët në shesh, nën moton "Berisha ik!"
Të gjithë opozitarët më 15 mars të bashkohemi nën moton: "Berisha ik". Kjo ishte ftesa e djeshme e ish-kryeministrit Ilir Meta në prononcimin e tij publik. Sipas tij, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2008, është një shuplakë e fortë për Sali Berishën dhe keqqeverisjen e tij. Ndërsa konkluzionet e partnerëve amerikanë janë në të njëjtën linjë me konstatimet dhe denoncimet që ne kemi bërë në vazhdimësi ndaj keqqeverisjes së Sali Berishës. "Ashtu sikurse konstaton ky raport, ne kemi denoncuar kontrollin dhe presionin e qeverisë mbi institucionet e pavarura, mbi gjyqësorin, mbi prokurorinë dhe mbi median", tha Meta. Zgjedhjet e 28 qershorit, vijoi ai, tashmë janë shansi i shqiptarëve për të hequr nga qeverisja një Kryeministër të papërgjegjshëm, që jo vetëm u ka sjellë atyre kaq probleme, por ka nxirë edhe imazhin ndërkombëtar të vendit. "Prandaj, me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si forca kryesore opozitare në vend prej një viti, si forca e parë e cila e vuri gishtin mbi Sali Berishën si kryeshkaktarin e kësaj tragjedie, si forca që kërkoi një hetim parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, që nuk u realizua kurrë, u bëj thirrje jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, por të gjithë opozitarëve, që më 15 mars të gjithë të bashkohemi nën moton: ‘Berisha ik‘", tha Meta. Sakaq, i pyetur lidhur me deklarimet e kreut të grupimit G99, Erion Veliaj, ai theksoi se "për të gjitha ato shpifje ordinere, përgjigjen do ta marrë në prokurori dhe në gjykatë, në mënyrë që të edukohet me shtetin ligjor, që duhen ta respektojnë të gjithë". Ne, u shpreh kreu i LSI-së, kemi denoncuar pseudoreformat ligjore të Berishës për shkatërrimin e Kushtetutës, për ligjin për prokurorinë, apo lustracionin, të cilat kanë pasur si objektiv të vetëm mbrojtjen e Fazlliçëve të shumtë dhe mbulimin e aferave korruptive.