E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga trafikantët e klandestinëve

Policia e Beratit në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë arritur të përfundojnë me sukses një operacion për arrestimin e dy personave që organizonin kalimin e paligjshëm, të kufirit me Greqinë. Operacioni me emrin e koduar "Morava 2" u organizua pas një pune hetimore prej tre muajsh dhe në përfundim të tij u bë ndalimi i Lavdimir Atias, 38 vjeç, banues në fshatin Moravë të Beratit dhe Idjet Plakut, 45 vjeç, banues në fshatin Tapi të Kuçovës. Policia tha se ndalimi i tyre u bë pasi në kohë të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhënë ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit. Nga informacionet e siguruara në rrugë operative, ekspertët hetimorë kanë mësuar se Atia dhe Plaku kishin kaluar shumë persona në Greqi, kundrejt shpërblimit prej 2 mijë eurosh për çdo person. Policia po punon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›