Raporti, PD dhe PS e lexojnë ndryshe
Ashtu siç ndodh gjithmonë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit u lexua në mënyra të ndryshme nga politika shqiptare. Mazhoranca e pa me nota pozitive, duke theksuar se në të është evidentuar progresi i bërë nga Shqipëria gjatë vitit 2008. Ndërsa opozita theksoi se tashmë janë verifikuar deklaratat e saj të bëra përgjatë një viti, se Shqipëria është në vendnumëro për sa i përket luftës ndaj korrupsionit, pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së medias etj. "Sikurse thuhet, qeveria bëri tentativa për të ushtruar kontroll më të madh mbi institucionet e pavarura, si gjyqësori, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe media. Qeveria ndërhyri në hetimin e nisur për shpërthimin e Gërdecit më 15 mars, zhdukjen e Remzi Hoxhës", citoi sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade, raportin e DASH-it. Sipas saj, forcat e sigurisë abuzuan me të burgosurit dhe të ndaluarit e kushtet e paraburgimit janë ende të vështira. Ndërsa korrupsioni në polici vazhdon, sikurse edhe diskriminimi ndaj grave e fëmijëve. Në vlerësimin e PS-së, departamenti amerikan ka bërë të ditur se ligji prek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. "Raporti thekson qartë se ky ligj i jep liri veprimi qeverisë në lidhje me shkarkimin e zyrtarëve", këmbënguli Bello. Më tej, deputeti socialist tha se në raportin e DASH-it vihet në dukje ajo që PS-ja e ka denoncuar prej kohësh, që qeveria po ndikon hapur në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe në prokurori. Duke cituar pjesë nga raporti, PS-ja konstatoi më tej, se qeveria nuk po ndërhyn vetëm në Gjykatën Kushtetuese, por edhe në organin e prokurorisë dhe në sistemin gjyqësor, duke ndikuar qartë në pavarësinë e tyre. Opozita mendon se ky raport flet hapur fare dhe për hetimin e tragjedisë së Gërdecit, duke i konsideruar si jo transparente, për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Një tjetër shqetësim që raporti vë në dukje sipas PS-së është edhe përdorimi politik i medias. Të njëjtin qëndrim me deputetin e PS-së Bello ndau nga salla e Kuvendit edhe deputetja e PSD-së, Diana Çuli, e cila citoi po ashtu pjesë të raportit që kritikojnë qeverinë. Por, nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me kolegët e opozitës, deputetët e mazhorancës, Edi Paloka dhe Aldo Bumçi. Sipas zëdhënësit të grupit të PD-së, Bumçi, raporti i DASH-it nuk i ka pasqyruar ndryshimet që kanë ndodhur në 2008-ën, por i referohet raportit të KE-së në 2007-ën. Për Bumçin në raport vlerësohet arritja e qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Para kolegëve deputetë, ai u shpreh se "ju na akuzoni për korrupsion, por nuk ka pasur periudhë qeverisjeje në Shqipëri, ku krimi dhe korrupsioni të jenë luftuar më fort se sot". Sipas tij, nuk ka qeverisje që t‘i ketë hequr vetes mbrojtjen e imunitetit dhe të dalë në dritën e diellit, si ka dalë kjo qeveri para shqiptarëve dhe këto janë të vërtetat që na ndajnë ne.