Rama: U konstatua nevoja për ndryshim të qeverisjes
Kreu socialist, Edi Rama, shprehu hidhërim dje për ato çka i cilësoi "të vërteta të hidhura, që provojnë jo vetëm vërtetësinë e shqetësimeve që opozita ka ngritur gjatë gjithë vitit të fundit, por edhe nevojën rritëse për ndryshimin e qeverisë e të qeverisjes". Teksa iu referua raportit të publikuar një ditë më parë nga DASH-i, Rama vlerësoi se i gjithë viti i fundit ka qenë viti i një përpjekjeje të madhe nga ana jonë për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve të drejtësisë e të medias dhe pas 121 ditësh Shqipëria e qytetarëve që duan shtet do të votojë për t‘i shpëtuar njëherë e mirë këto institucione nga sulmet e bajraktarit në pushtet. "Ia lamë drejtësisë të thotë fjalën e saj dhe për 15 marsin që vjen kemi iniciuar një manifestimin të madh qytetar, që do të nisë në kraterin e vullkanit të korrupsionit në Gërdec për të kujtuar tragjedinë e tmerrshme dhe do të mbyllet përpara zyrës së Kryeministrit në Tiranë, për të kërkuar zbardhjen deri në fund të saj", theksoi Rama. Pasi i kemi kërkuar me ngulm mazhorancës së sotme të shtojë mbështetjen financiare për gjyqësorin, vijoi ai, ne do ta vëmë mazhorancën e re të 28 qershorit në një marrëdhënie të re me gjyqësorin dhe do të bëjmë gjithçka për të forcuar pavarësinë kushtetuese e financiare të sistemit gjyqësor. Gjatë gjithë vitit që përfshihet në këtë raport, tha Rama, ne jemi përpjekur shumë seriozisht në mbrojtje të lirisë së medias e të informacionit dhe nuk kemi asnjë dyshim se në raportin e vitit të ardhshëm të Departamentit të Shtetit nuk do të flitet më as për KKRRT-në e TVSH-në e politizuar, as për presione të qeverisë sonë mbi mediat. Duke prekur korrupsionin në polici, në arsim, kreu i opozitës premtoi se e majta do të bëjë me qeverinë tonë të re reforma rrënjësore, që do të luftojnë korrupsionin dhe rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit policor, apo të krejt sistemit arsimor. "Që Sali Berisha do të sillej me ish-pronarët si një komunist që tjetër thotë e tjetër bën dhe me pronat si një bajraktar në bajrakun e tij që ua ndan trojet kujt të dojë e si të dojë, këtë nuk e dyshonim që ditën e parë", tha Rama. PS-ja angazhohet që të trajtojë me ide të reja e me vullnet të ri çështjet e dhunës, të abuzimit me gratë e fëmijët, si edhe të sigurisë në punë. Duke e kthyer mandatin që do të marrim më 28 qershor në fuqinë e ndryshimit kundër varfërisë, papunësisë e korrupsionit, theksoi Rama që ka shkaktuar shumë humbje jetësh njerëzore në vitet e fundit