E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Gratë dhe vajzat janë prioritet

"Duhet të garantojë një shoqëri që të japë garanci për të gjithë dhe jo vetëm për disa". Ky ishte apeli që lëshoi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi në qytetin e Vlorës. Meta u shpreh se gratë dhe vajzat e Qarkut të Vlorës, sikurse në të gjithë Shqipërinë, duhet të kenë më shumë iniciativë dhe më shumë përkushtim për të pasur një shoqëri më të emancipuar. Ai theksoi se problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem, jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë. Nuk është thjesht një çështje kuotash dhe përqindjesh nëpër forumet e partive politike, tha Meta, apo edhe në qeverisjen e vendit, por është një çështje e madhe, që ka të bëjë me vetë integrimin dhe forcimin e familjes sonë. "Ndaj, sfida më e rëndësishme, dhe më e madhe për të forcuar pozitën shoqërore të gruas dhe të vajzës shqiptare, nuk është vetëm e juaja, por pa dyshim është edhe e gjysmës tjetër", theksoi Meta. Në këtë drejtim, ai shprehu besimin e tij se mirëkuptimi dhe dialogu është rruga më e mirë për të rritur këtë përfaqësim në jetën publike dhe në vendimmarrjet shoqërore. "Shoqëria jonë mbart një padrejtësi të madhe që ka të bëjë me margjinalizimin e gjysmës së saj, pra ‘diskriminimin‘ që i bëhet gruas shqiptare", nënvizoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›