E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Problemet e veriut janë të frikshme

Kreu i socialistëve, Edi Rama, deklaroi dje se në veriun e vendit po del lakuriq varfëria migjeniane. Gjatë një takimi në qytetin e Lezhës, ai tha se fëmijët e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë për shkak të varfërisë. "Këtu, në zonën ku nis dhe shtrihet veriu i vendit, problemet janë më të prekshme dhe më të frikshme", tha Rama. Këtu, shtoi ai, analfabetizmi po e gërryen trupin e shoqërisë dhe po i merr asaj frymën, si të ishte një tuberkuloz që po futet thellë e më thellë në mushkëritë e organizimit tonë shoqëror dhe po ha përditë e më shumë energji e shpresa. "Ai është pengmarrësi i 10% sipas statistikave zyrtare, por shumë më tepër sipas statistikave logjike", vlerësoi lideri i opozitës. Teksa shtoi se 17 vjet liri, në një tranzicion rraskapitës, na kanë risjellë përpara, mes nesh dhe të ardhmes, fantazmën kërcënuese të analfabetizmit. "Nga ana tjetër, krahas me analfabetizmin qëndron varfëria, si bashkudhëtare e gjithmonë e më shumë familjeve shqiptare posaçërisht në këto zona", u shpreh Rama. Askush, tha ai, s‘ka bërë asnjëherë asgjë për këta fëmijë e familje, përveç fjalimeve e premtimeve, gënjeshtrave, që vazhdojnë të derdhen si lum, duke i dëshpëruar njerëzit, duke i lënë njerëzit pa shpresë. Ai shprehu bindjen se gjithçka në Shqipëri dhe Shqipërinë e së nesërmes, do të fillojë nga arsimi. "Arsimi do të bëhet prioriteti, jo thjesht i Partisë Socialiste, por për të gjithë ata qytetarë që do bëhen përditë e më të vetëdijshëm, se ne duhet ta mundim analfabetizmin", ngulmoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›