E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Hetimi ndaj Ramës, fundi i një bashkëpunimi teatral

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim e cilësoi veprimin e maxhorancës si të “pa kuptimtë” dhe fundi i një bashkëpunimi mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së Edi Rama. 

TIRANE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim reagon ndaj vendimit të parlamentit për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në një prononcim për shtyp Ilir Meta e cilësoi veprimin e maxhorancës si të “pa kuptimtë” dhe fundi i një bashkëpunimi mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së Edi Rama.

“Komisioni hetimor i ngritur nga ana e mazhorancës është pa kuptim pasi ky parlament ka mbyllur mandatin e tij. Një komision i tillë është një fund teatral i një bashkëpunimi teatral”- tha sot Ilir Meta nga selia e LSI-së në Tiranë.

Reagimi i themeluesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim vjen një ditë pasi Kuvendi miratoi vetëm me votat e maxhorancës nismën për investigimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në kryeqytet.
Në këtë votim vetë deputetët e LSI nuk morën pjesë, ndërsa deputetët PS e PSD bojkotuan seancën për shkak të këmbënguljes në kërkesën për pajisjen me karta falas të qytetarëve pa pasaportë. Nisma për hetim u miratua me 68 vota pro, ndërsa 6 deputetë të PDK-së dhe PBDNJ-së votuan kundër.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›