E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i heq imunitetin Neranxit

Kuvendi i hoqi dje imunitetin e deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, me 62 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenime. Votimi është zhvilluar me elektronikë të fshehtë. Kuvendi i hapi rrugë hetimit penal ndaj deputetit Neranxi nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me dyshimet për kontrabandë mallrash. Vetë deputeti Neranxi e cilësoi këtë akt si sulm me qëllime të pastra politike. "Kjo kërkesë e ardhur nga prokuroria është ideuar dhe vënë në lëvizje për qëllime të pastra politike", u shpreh Neranxi në sallën e Parlamentit. Ai hodhi poshtë akuzat e lëshuara në adresë të tij, duke theksuar se gjatë gjithë kohës ka punuar me ndershmëri dhe kjo tregohet nga fakti se ai hyri në politikë i pasur dhe nuk u bë politikan i pasur. Neranxi theksoi se "gjatë gjithë punës së tij ka dëshmuar qëndresë morale dhe ka kundërshtuar hapur dhe fuqishëm, ‘xhuvelizmin‘, kryebashkiakun e Himarës dhe çdo proces me prapavijë të dyshimtë". Për Neranxin, heqja e imunitetit të deputetit pikërisht tani në fund të mandatit të Kuvendit është një skenar i ulët politik dhe i nxituar nga qëllime para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ideja se heqja e imunitetit të deputetit Neranxi është sulm politik u mbështet edhe nga grupi parlamentar i LSI-së nëpërmjet kryetarit të grupit, Pëllumb Xhufi. Por pavarësisht qëndrimit të deputetit Neranxi dhe të grupit parlamentar të LSI-së, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve ka rënë dakord që këtij deputeti t‘i hiqet imuniteti, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë për të hetuar dyshimet për mosdeklarim të mallit në doganën e Kapshticës. Deputeti i PD-së, Ilir Bano, anëtar i këshillit të rregullores dhe imunitetit ka lexuar raportin e këshillit, duke theksuar se kërkesa e prokurorisë është pranuar, pasi është vlerësuar në përputhje me ligjin. Organi i akuzës në shkresën e vet kërkon autorizimin për procedim penal ndaj deputetit Nikollaq Neranxi, sepse rezultojnë 21 deklarata doganore për importe të kryera nga Greqia në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kapshticë në periudhën 2001 deri në gusht 2004 për mallra të ndryshëm. Për 21 raste thekson prokuroria në kërkesën e saj, malli ka hyrë në territorin shqiptar dhe nuk është bërë deklarimi i tij para autoriteteve doganore shqiptare, si në doganën e Kapshticës dhe as në doganën e Tiranës. Si rezultat, mallrat janë futur kontrabandë në territorin shqiptar dhe nuk është paguar detyrimi doganor në shumën 13664916 lekë. Për prokurorinë të dhënat e praktikave doganore respektive tregojnë se artikujt e blerë në Greqi nga shoqëria "SALCOFOT" A.E janë deklaruar si të importuara dhe nuk janë zhdoganuar. Sipas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, deputetit Neranxi i atribuohet vepra penale e kontrabandës me mallra të tjerë në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 174 e 25 të Kodit Penal.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›