E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton operatorin e katërt të telefonisë celulare

Kuvendi miratoi dje me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim operatorin e katërt celular në vend. Një konsort ky i përbërë nga Post Telekomunikacioni i Kosovës dhe një grup investitorësh shqiptarë, të cilët ofruan 7.2 milionë euro. Operatori i katërt do të jetë efektivisht në treg vetëm 6 muaj nga data e marrjes zyrtarisht të licencës, duke mbuluar me një sinjal rreth 85% të territorit të vendit dhe 95% të popullsisë. Kryeministri Berisha rikonfirmoi në Kuvend qëndrimin e një dite më parë, duke deklaruar se licenca e katërt celulare është një hap shumë i rëndësishëm për liberalizimin e mëtejshëm të tregut vendas. Çka sipas ekspertëve pritet të sjellë uljen e mëtejshme të tarifave të konsumatorëve jo vetëm për thirrjet brenda vendit, por edhe për ato rajonale dhe sidomos tarifat me Kosovën. Kryeministri Sali Berisha tha se "interesi publik nuk mund të cenohet në asnjë rast dhe ky interes është që licenca i jepet atij që ka dhënë shumën më të madhe dhe ka ofruar kushtet më të mira dhe kjo është kompania e cila ka në përbërje postën dhe Telekomin e Kosovës, Entin Publik". Ai, tha kryeministri, ka sjellë 7 milionë dhe ne nuk mund t‘i themi se do t‘ia japim Edilit me 4 milionë. "Jo, kjo nuk mund të ndodhë", u shpreh Berisha. Megjithatë, shtoi kryeministri, ju kur të dëshironi mund të shkoni të njiheni me çmimin e dhënë. "Njëra ofertë është 7 milionë, tjetra është 4-5 milionë. Sigurisht që fitues u shpall ai që ofroi më shumë. Nuk mjafton të bësh presion mbi këtë qeveri për të fituar tenderë", u shpreh Berisha. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, sipas të cilit kjo licencë rrit konkurencën në treg dhe çon në uljen e çmimeve. Pas miratimit në Kuvend të licencës së katërt celulare, ministri i Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ka sqaruar opinionin publik se pse procedura e ndjekur është tërësisht ligjore. "Nuk është privatizim, po japim përdorimin e një frekuence. Nuk është një aset, por një koncesion dhe në raste të tilla fituesi mund të shpallet edhe kur është vetëm një. PTK dhe grupi i biznesmenëve shqiptarë kanë ofruar një çmim prej 7.2 milionë eurosh, më shumë nga sa prisnim. Në këtë mënyrë Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon me 4 operatorë", ka sqaruar Olldashi. Konsorciumi fitues do të paguajë 7.2 milionë euro në arkën e shtetit brenda një jave nga marrja zyrtarisht e licenses dhe sipas kushteve të kontratës do të jetë efektive në treg vetëm 6 muaj pas kësaj date.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›