E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vota për projektligjin, detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare”



Kryeministri Berisha është treguar dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, më i vendosur se kurrë për të miratuar projektligjin për hapjen e dosjeve. Pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve, kreu i qeverisë shqiptare tha dje se ligjin do ta miratojnë të vetëm në Kuvend pasi, sipas tij, përbën një nga detyrimet morale më madhore të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave. Kryeministri tha se Shqipëria është një vend i lirë, vend demokratik dhe qeveria nuk ka bërë asnjë hap jashtë standardeve të kërkuara për këtë çështje, në mënyrë kategorike. “Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Europës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë saqë nuk lë kërrkund shkas për mungesë transparence. Kjo Gjykatë, tempull i drejtësisë për liritë e njeriut, nuk ka pranuar në asnjë rast të shqyrtojë në thelb ligjet e lustracionit, sepse i ka quajtur legjitime. Shoqëria duhet të bëjë lustracionin. Ky është morali i të drejtës, morali i shoqërisë së lirë”, - është shprehur Berisha. Më pas, duke komentuar qëndrimin e opozitës, Berisha tha se miratimi i këtij ligji është një mundësi që i jepet kampit të majtë për të faktuar akuzat kundrejt ministrave dhe anëtarëve të PD-së. “Shqiptarët janë dëshmitarë se duke filluar nga Edi Rama dhe te zëdhënësit e tij, muaj të tërë tregonin gishtin drejt ministrave, drejt deputetëve, drejt drejtuesve të PD-së, në mënyrën më amorale. Të nderuar zotërinj opozitarë, urdhëroni dhe votoni ligjin që ju jep mundësi juve të faktoni çdo akuzë që keni bërë gjatë këtyre tre viteve. Keni sulmuar në mënyrën më të rëndë. Por mos harroni se këta njerëz janë njerëz publikë, kanë përgjegjësi, ata kanë familjarë, kanë një të shkuar dhe ju i keni lënduar në mënyrë shumë të pandershme”, - është shprehur kreu i qeverisë.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›