E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Do të jemi garantët e qeverisjes progresiste të 2009-ës”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është takuar dje me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Minibashkinë Nr.6 në kryeqytet. Në këtë takim, Meta shoqërohej nga sekretari për Marrëdhëniet me Publikun Luan Rama, nga kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës Artur Zheji, nga ish-deputetja e kësaj zone Monika Kryemadhi dhe nga kryetarja e Minibashkisë Luzhiana Abazi, si dhe nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së së Tiranës Elez Gjoza. Në këtë takim ndodheshin përfaqësuesit e LSI-së dhe LGI-së të kësaj minibashkie. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se LSI-ja do të jetë forca garante e qeverisjes progresiste që do të formohet nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. “LSI do të jetë garancia e një qeverisjeje progresiste, pas vitit 2009, pas zgjedhjeve të qershorit. Dhe nuk do të jemi thjesht një garanci përmes numrave në Qeveri, në Parlament, e kështu me radhë, por do të jemi garanci reale dhe morale e një ndryshimi të madh që do të ndodhë në Shqipëri”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Kreu i LSI-së theksoi se fitimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është një detyrë për LSI-në përkrah së cilës janë shumica e qytetarëve shqiptarë. “Ne jemi të bindur që këtë gjë do ta realizojmë më së miri në të gjitha drejtimet, sepse zgjidhja e kësaj krize të thellë politike, institucionale, kushtetuese, do të vijë nga LSI-ja dhe nga ajo alternativë, e cila tashmë është afirmuar në krah të LSI-së dhe e cila është në sinkron të plotë me shumicën e qytetarëve shqiptarë. Prandaj objektivi ynë për të fituar në zgjedhjet e vitit 2009 nuk është një dëshirë. Është një detyrë. Një detyrë përpara vendit që kërkon një zgjidhje. Ne do të kemi gjithnjë në qendër të vëmendjes punën me njerëzit. Në sfidën tonë, - tha ai duke iu drejtuar të pranishmëve në takim, - e kemi me të gjithë ju dhe me të gjithë shqiptarët kudo ku janë, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›